Bashkia e Shijakut është bashkia e parë në vend që ka përmbyllur procesin e rindërtimit nga tërmeti i 2019-ës. Së fundmi mbaroi me sukses rindërtimi i 31 pallateve, ku do të akomodohen 637 familje, të cilat prej disa ditësh po zhvillojnë në një transparencë të plotë shorteun e shpërndarjes së apartamenteve.

Nga e para është ndërtuar edhe Kopshti nr.2, i cili u shemb tërësisht nga tërmeti dhe sot është një godinë e re me tre kate, e pajisur me dhomë psikologu e infermieri, sallë multifunksionale dhe hapësira rekreative për fëmijët.

Në shorteun e ndarjes së apartamenteve për banorët e Shijakut ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se: “Te lagja e re të gjitha godinat janë gati për t’iu shpërndarë banorëve, pas pallateve do të përfundojë edhe infrastruktura urbane e mbetur. Në pranverë këta banorë do të jenë në një lagje që as që mund të imagjinohej. Ne arritëm që një fatkeqësi të madhe ta kthejmë në një mundësi për njerëzit që u prekën prej saj. Dhe ndihemi krenarë që ia dolëm për t’i strehuar dhe t’i japim kushte më të mira, dhe një shtëpi shumë më të mirë, shumë më të bukur se ajo që humbën, në një lagje që nuk ka krahasim me atë që ishte më parë, e pajisur me shërbime dhe hapësira rekreative për fëmijët. Një lagje me sens komuniteti dhe sensibiliteti social. Të gjitha apartamentet e ndërtuara në të gjithë Shqipërinë jepen me short transparent, ku të gjithë janë të barabartë.”