Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informoi nga Shkodra për situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë nisur që prej ditës së djeshme, si dhe për masat që po ndërmerren në përballimin e situates:

Këtu jemi në hyrje të Shkodrës, tek Harku i Bërdicës. Ka patur rreshje me intensitet shumë të lartë gjatë ditës së djeshme; kanë qenë të befta dhe kjo ka sjellë fryrjen e përrenjve dhe të basenit të Vaut të Dejës.

Gjatë natës ka patur disa problematika edhe për furnizimin me energji elektrike. Këtu kemi dhe drejtorin e OSHEE, i cili më siguron që po vendosen në kontroll të gjitha zonat dhe deri nga pasditja kur të ulet dhe intensiteti i rreshjeve të kemi furnizim të plotë me energji elektrike.

Duhet të na mirëkuptojnë qytetarët sepse në disa zona ndërprerja e furnizimit bëhet për arsye sigurie, pra, nuk është se mungon energjia, por për arsye sigurie, edhe për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm, ndërpritet energjia sa të qetësohet situata.

Këtu është pika më nevralgjike e zonës së Shkodrës, e Harkut të Bërdicës. Siç e shikoni, kemi përmbytje të rrugës, kemi bërë thirrje, së bashku me prefekten, Drejtorinë e Policisë për tw devijuar kalimin e automjeteve për të mos rënduar kalimin.

Gjithsesi, Forcat e Armatosura, siç e shikoni, janë në krye të punës, duke ndihmuar qytetarët të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike.

Shmangia e trafikut do ta lehtësonte punën. Gjithsesi, ne jemi këtu gati, me mjete dhe me njerëz për çdo rast.
Një familje është evakuuar në anën tjëtër të rrugës dhe një tjetër pak më lart në hyrje të Shkodrës.Janë katër banesa në këtë krah që po i mbajmë në monitorim dhe nën kontroll sepse rrezikojnë dhe janë më pranë përmbytjes.
Rreziku është që ky ujë që rrjedh drejt Dajçit poshtë të shkaktojë përmbytje në ato zona ndaj jemi edhe me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në territor për të kontrolluar punën e hidrovoreve.

Është shumë e rëndësishme sesi hidrovoret të jenë në punë në mënyrë që të tërheqin sa më shumë dhe të kullojnë sa më shumë. Është e rëndësishme për t’u theksuar që bashkitë kanë bërë një punë të mirë, kanalet kulluese janë në gjendje pune dhe ato sjellin që sapo bie intensiteti i rreshjeve tu kullojë uji sa më shpejt.

E falenderoj prefekten sepse ka qenë gjatë gjithë natës së djeshme dhe do jetë në vazhdimësi në koordinim të të gjithë sistemit të Emergjencave Civile, duke filluar nga bashkitë, mbështetet nga institucionet e tjera, nga Drejtoria e Ujitje-Kullimit, nga Forcat e Armatosura dhe Drejtoria e Policisë, që janë të gjithë këtu në gadishmëri për të mbështetur qytetarët dhe për te shmangur dëmet. Faleminderit