Moska duket se po përgatit një sulm me flamur të rremë në rajonin rus të Belgorodit, si pjesë e një përpjekjeje për të rifituar mbështetjen publike për luftën në Ukrainë, sipas analistëve ushtarakë perëndimorë.

Propagandistët e Kremlinit kanë sugjeruar se forcat e Ukrainës duan të pushtojnë Belgorodin, ndërsa burime të tjera ruse kanë thënë se Moska duhet të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të Kharkivit për të minimizuar kërcënimin e një sulmi ukrainas, tha Instituti për Studimin e Luftës.

Një operacion me flamur të rremë është një veprim i kryer me qëllim për t’i vënë fajin palës tjetër.

Ekspertët me bazë në SHBA thanë se pretendimet ruse për një sulm të afërt ukrainas janë “absurde dhe synojnë vetëm të trembin publikun e gjerë për të mbështetur luftën”.

“Ukraina nuk ka asnjë interes strategjik për të pushtuar Rusinë dhe nuk ka aftësi për ta bërë këtë në një shkallë të tillë”, thanë ata. ISW vazhdoi se mbështetja për pushtimin është në rënie brenda Rusisë për shkak të mobilizimit dhe dështimeve ushtarake.

Ai vuri në dukje raportet për protesta në 15 rajone ruse të nisura nga të afërmit e burrave të mobilizuar, shkruan Sky News. Spekulimet për një pushtim ukrainas mund të jenë gjithashtu pjesë e përpjekjeve për të “qetësuar komunitetin nacionalist rus pro luftës”, tha ISW.