Pas një misioni dyditor faktmbledhës në Tiranë, më 17-18 nëntor 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Europës kanë publikuar sot gjetjet e tyre mbi lirinë e shtypit, pluralizmin e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri. Organizatat që vizituan Tiranën theksojnë në gjetjet e tyre se pronarët e mediave në Shqipëri përdorin asetet e tyre mediatike për t’I shërbyer agjendave të tyre private, sipas interesave të caktuara.

“Për shumë prej kërcënimeve ndaj gazetarisë së pavarur në Shqipëri vazhdon të jetë shkak “kapja e pjesëve të rëndësishme të mjedisit mediatik nga interesat e biznesit”. Këta pronarë të mediave përdorin sistematikisht asetet e tyre mediatike për t’i shërbyer agjendave të tyre private ose politike në vend të interesit publik. Vitet e fundit është intensifikuar përqendrimi i mediave nën kontrollin e grupeve të tilla biznesi”, thuhet në gjetjet e tyre.

“Rezultati është se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e pronarëve të mediave në pavarësinë editoriale është e lartë. Këto praktika pronësie kanë minuar prej kohësh besimin e publikut në integritetin e medias dhe kanë çuar në autocensurë kronike brenda komunitetit gazetaresk dhe mungesë të një raportimi cilësor investigativ”, përfundojnë organizatat e gazetarëve.