Shkrimtarja dhe deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka nuk mbajti dot lotët kur kolegia Grida Duma njoftoi lënien e mandatit të deputetit.

E ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Goca dhe Gra”, Açka u pyet se çfarë mendon për vendimin e Dumës që Kuvendin për të drejtuar emisionin politik në Top Channel, “Top Story”.

“Lotët e mi ishin goditje e momentit. Dija diçka, por nuk ma merrte mendja që e kishte marrë vendimin … edhe zëri i dridhur i Gridës dhe të gjitha bashkë, kjo ishte arsyeja e emocionit.

Është vendim personal i saj. Megjithatë, ajo vazhdon të jetë në politikë dhe nga ai front”, tha deputetja që më tej komentoi situtaën aktuale në PD, duke lënë të kuptohet se dhe ajo mund të largohet.

“Kam përshtypjen se mjedisi në PD nuk është akoma aq i shtruar sa të jetë dashamirës. Kjo është një nga arsyet, mendoj unë. As unë vetë nuk e gjej veten, nuk jam në ujëra aq të sigurta. Projeksioni im ishte ndryshe”.

E pyetur nga Armina Mevlani se për çfarë do e linte politikën, Açka tha se do ta bënte “vetëm për librin”.