Nga Klevi Hyka/ “Fjala zbut dhe zemrat më të forta”. Është pikërisht fjala ajo që bën diferencën dhe ka një efekt të paimagjiueshëm për të bërë të mundur të pamundurën. FJALA është ajo që të drejton në konflikt dhe në zgjidhjen e tij. Konflikti fillon nga këndvështrime të ndryshme dhe shpesh nga keqkuptime midis njerëzve.

Në fakt, përgjithësisht, në qoftë se hedhim një vështrim prapa në histori, të gjitha konfliktet kanë filluar si pasojë e mungesës së komunikimit të duhur. Për shembull Liri, mbreti plak i Britanisë, vendos të zbresë nga froni dhe ta ndajë mbretërinë përfundimisht midis tri vajzave të tij. Si fillim, ai i vendos vajzat e tij përpara një prove, duke i kërkuar të shprehin dashurinë e tyre për të. Goneril dhe Regan, vajzat e mëdha të mbretit Lir, i japin atij përgjigjet që ai dëshironte, të mbushura me fjalë lajkatuese, për të marrë mbretërinë. Por, Kordelia, vajza më e vogël dhe e preferuara e Lirit, mbetet e heshtur, dhe thotë se ajo nuk ka fjalë ta përshkruajë dashurinë që ka për të atin. Lir-i e humbet toruan dhe e mohon Kordelian si vajzën e tij, duke e dëbuar atë. Ai u mjaftua me kuptimin e përciptë të fjalëve të vajzave dhe nuk e dëgjoi heshtjen domethënëse të zemrës së Kordelia-s, si një mënyrë për të shprehur ndjenjat e saj.

Ai nuk ishte në gjendje të shikonte shenjat të cilat fshiheshin prapa aftësive të mrekullueshme komunikuese të dy vajzave të tjera gjithashtu. Megjithatë Lir-i shpejt mëson se ka bërë një zgjedhje të gabuar. Goneril dhe Regan, shpejt fillojnë të minojnë autoritetin e vogël që Lir-i ende mbante. Ai nuk mundej të besonte që vajzat e tij të dashura po tradhëtonin babanë e tyre, dhe ngadalë mbreti Lir fillon të çmendet. Siç mund ta shikojmë nga kjo përmbajtje e shkurtër e tragjedisë së Shekspir-it, njerëzit shpesh duan fjalë të ëmbla dhe konforti. Njeriu e ka evoluar gjuhën dhe me të edhe aftësinë e të shprehurit të ndjenjave dhe emocioneve. Shembulli i Kordelias dhe babait të saj, thjesht e nënvizon faktin që komunikimi është pjesë e jetës sonë të përditshme dhe evolucionit të njeriut, sepse mungesa e kesaj aftësie thelbësore tek njeriu, të drejton pothuajse gjithmonë në konflikt.

Nga ana tjetër, komunikimi është shumë i rëndësishëm në fushën e edukimit. A mund të mësojmë pa komunikim? Sigurisht që jo. Që nga klasa e parë, fëmijët kanë nevojë për fjalët e ngrohta të mësueses dhe shoqërisë përreth se të mësojë lëndët shkencore. Për shembull, ka nxënës që mund të prekin opinionin e një nxënësi tjetër, dhe kjo të drejton drejt konfliktit. Komunikimi efektiv midis nxënësve dhe mësueses ka potencialin për të përmirësuar eksperiencën e të mësuarit dhe të krijojë një mjedis pozititv në klasë.

Që kur kemi qenë të aftë të komunikojmë, ka pasur shumë pasoja nga keqkuptimet dhe komunikimi i varfër dhe kjo vjen nga evoluimi i species tonë që vazhdon të bëhet edhe më specifike në çdo kontekst të jetës së përditshme. Në kontekstin e vendit të punës, “dështimet” e komunikimit shkaktojnë një shumëllojshmëri problemesh, si në anën individuale edhe në atë të punës. Komunikimi jo i duhur ndikon në performancën e ulët të punës në grup, duke ulur vlerat morale dhe përfitimet.

Në përgjithësi, mungesa e komunikimit, ose aftësia e dobët për ta bërë këtë, ndikon më shumë, sa më të mëdha të jenë përgjegjësitë, dhe një gabim i vogël në komunikim mund të çojë drejt konfliktit.

Jo gjithmonë paaftësia e komunikimit është burimi i konfliktit. Për shembull, në fillim të viteve 1930, kur Gjermania naziste erdhi në fuqi, Anglia u bë shumë tolerante në lidhje më pretendimët gjermane të Austrisë dhe Çekosllovakisë, duke e lënë Gjermaninë të arrinte atë që dëshironte përmes komunikimit. Anglia këtë herë mendoi të shmangte një tjetër luftë botërore, por historia tregoi që nuk ishte kështu. Megjithatë, ky mbetet një nga të paktët raste, ku asgjë nuk arrihet me komunikim.

Në gjithmonë duhet të dimë se çfarë të themi sepse më pas vijmë në shprehjen popullore të vendit: “Fjala vret më shumë se plumbi”. Në komunikim duhet të kemi një fjalor të gjerë dhe të zgjedhur për të thënë atë që nevojitet në vendin dhe çastin e duhur.