Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka folur sot në Kuvend për buxhetin për vitin 2023, dhe rritjen e pagave që është parashikuar për punonjësit e administratës që punojnë në Policinë e Shtetit dhe për agjencitë ligjzbatuese.

Çuçi tha se rritja e pagave do të jetë 7% ndërsa ka një buxhet të dedikuar dhe për forcimin e sigurisë së policisë së shtetit ndaj sulmeve kibernetike.

“Rritje të rëndësishme e pagave në gjithë sektorët. Për Gardën janë 1300 punonjës me rritje page 7%, për AMP kemi rritje në 86% të agjencisë mesatare me 13% të pagave, për pjesën tjetër të mbetur një rritje 7%.

Dhe në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri e shpëtimi janë 1181 punonjës që do marrin nga ky buxhet një rritje page 7%.

Të gjithë këta janë punonjës në shërbim të drejtpërdrejt ndaj komunitetit, dhe në pjesën që quajmë administratë publike, për 2940 punonjës në gjithë sistemin e sigurisë do kemi rritje 7%.

Përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj krizës së krijuar nga lufta. Buxheti është realist dhe për kërcënimet e tjera për sigurinë, një nga këto është sulmi kibernetik që pësuan sistemet e sigurisë nga një armik i njohur nga të gjithë.

Në përgjigje të këtij sulmi për të forcuar sistemet, 7.6 herë e kemi rritur për forcimin e sigurisë të policisë së shtetit, krahasuar me 2022. 547 milionë lekë kemi parashikuar për sistemet e policisë, në buxhetin e policisë, dhe vetë AKSHI ka një paketë të posacme për policinë.

Përvec investimeve nga partnerët për një mjedis të sigurt kibernetik. Buxheti është një mundësi shumë e mirë për të rritur mirëqenien e familjeve të punonjësve që punojnë në agjencitë ligjzbatuese dhe në policinë e shtetit“, tha ministri Çuçi.