Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka njoftuar të premten se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë ftuar për një takim “urgjent” në Bruksel para datës 21 nëntor.

Nga qeveria e Kosovës ende nuk ka një reagim për nëse është pranuar apo jo ftesa. Për Klan Kosova, zyrtarë të qeverisë janë shprehur: “Do ju informojmë më vonë”.

Ndërkohë mediat në Serbi raportojnë se Vuçiç ka pranuar ftesën e BE-së, dhe se do të takohet me Kurtin në Bruksel të dielën ose të hënën e 21 nëntorit.

“Novosti” shkruan se “takimi do të organizohet të dielën mbrëma ose të hënën në mëngjes, dhe tema do të jetë tensioni i fundit në Kosovë” i shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti”.

Zgjidhjen e këtij ngërçi e ka paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme në Estoni, duke thënë se janë duke u zhvilluar negociata për çështjen e targave.