Vijon këtë vit dhe me buxhetin e ri investimi në flotën e re të autoambulancave

Tiranë, 7 Nëntor- Një tjetër investim në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, me pajisje të reja jetëshpëtuese për t’iu përgjigjur në kohë urgjencave mjekësore në territor. Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishte sot në qendrën e trajnimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku foli për fuqizimin sërish të flotës së autoambulancave.

“E kemi hapur në fakt vitin me një flotë prej 20 autoambulancash të reja, që janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Dhe kemi siguruar që qoftë në zonat e thella malore, por edhe në qytete, të kemi një fuqizim të gjithë rrjetit tonë të përgjigjes ndaj emergjencave. Vijmë këtu me investime të reja që i shërbejnë jo vetëm shërbimeve dhe fuqizimit të tyre, por gjithashtu edhe trajnimit dhe edukimit në vazhdim. Pra, aspekti tjetër që ofron Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore është standartizimi dhe unifikimi i shërbimit të urgjencës në të gjithë Shqipërinë. Do të kemi sërish 8 autoambulanca të reja në fundviti dhe do ta vijojmë këtë investim edhe në vitin 2023 me buxhetin e ri”- u shpreh Manastirliu. Duke folur për fuqizimin e kapaciteteve të flotës së Urgjencës Kombëtare, Manastirliu tha:

“Nga Tetori 2021- Tetor 2022 janë më shumë se 140 mjië misione që janë kryer dhe janë rreth 1500 deri në 2000 telefonata në ditë që pret Qendra e Urgjencës Kombëtare. Është shumë e nevojshme që ne të përgatitemi për një qendër mbështetëse (back-up) dhe kemi vendosur të jetë në Vlorë, që do të nis të projektohet me buxhetin e ri të viti 2023 dhe më pas, me buxhetin afatmesëm, do të kemi mundësinë edhe të financojmë dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja që ne na duhen për qendrën rezerevë, apo backup të Urgjencës Kombëtare”, tha Manastirliu.
Në këto 4 vite, flota e autoambulancave në territor është fuqizuar me 100 autoambulanca të reja dhe me pajisje të reja jetëshpëtuese, duke mbuluar cdo pikë të territorit për ofrimin në kohë të shërbimit të urgjencës mjekësore. Me buxhetin e vitit 2023 do të investohet për zgjerimin e flotës së autoambulancave me autoambalanca të reja si dhe do të garantohet fillimi i projektit për qendrën e re back-up të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.