Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar sot Qendrën Shëndetësore të Rrogozhinës, e cila është pajisur me aparatura të reja radiologjike, pjesë e investimeve në të gjithë rrjetin e pajisjeve mjekësore në spitale dhe poliklinika.

“Vijmë në këtë Qendër Shëndetësore me një investim të ri, ashtu sikurse tashmë kemi bërë në 18 qendra shëndetësore, poliklinika dhe spitale, në instalimin për herë të parë të një game të re aparaturash biomjekësore, të nivelit bazë, sikurse janë të 18-të grafitë, të cilat tashmë janë instaluar në strukturat e qendrave tona shëndetësore 24 orëshe, në poliklinika dhe në spitalet tona, duke bërë të mundur jo vetëm fuqizimin e gjithë radiologjisë në këto struktura, por gjithashtu duke krijuar edhe mundësinë qytetarëve, për të marrë shërbime afër vendbanimit.”-tha Manastirliu.

Duke folur për vaksinimin e gripit dhe COVID-19, Manastirliu tha deri më tani janë kryer mbi 100 mijë vaksinime kudër gripit, ndërkohë që presim brenda muajit vaksinat e adaptuara të COVID-19:

“Tashmë ne jemi duke bërë vaksinimin e kombinuar me të dyja këto vaksina, vaksinën kundër gripit dhe vaksinën kundër COVID19. Për sa i përket vaksinës kundër gripit, ne po ecim me ritme të shpejta. Janë kryer më shumë se 100 mijë vaksina në këto ditë që kemi filluar vaksinimin. Ka me të vërtet një interes të madh të qytetarëve, sidomos të grupmoshave +65 vjeç, por gjithashtu edhe grave shtatëzëna që kanë ardhur dhe kanë aksesuar Qendrat Shëndetësore, për të kryer këtë vaksinë”-tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu foli edhe për nisjen e procesit të vaksinimit kundër Virusit të Papilomës Humane, vaksinë e cila ofrohet falas për të gjithë vajzat e moshës 13 vjeç pranë qendrave shëndetësore.