Gjykata e Apelit në Tiranë caktoi datën 10 nëntor, për seancën ku do të gjykohet një prej ankimeve të bëra nga Partia Demokratike, pasi dështoi këtë të enjte (3 nëntor) seanca për shkak të mungesës së avokatit Indrit Sefa, i cili kërkoi shtyrje për shkaqe shëndetësore.

Një javë më vonë, një Kolegj Civil do të shqyrtojë ankimin e bërë nga grupimi i Lulzim Bashës në PD kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës të 18 marsit 2022, që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit, Kuvende të thirrura nga Lulzim Basha. Gjykata e Apelit njoftoi zyrtarisht se çështja do të shqyrtohet nga një treshe e përbërë nga gjyqtarja Irida Kacerja si relatore dhe Genti Shala e Emona Muçi anëtarë.

Një ndër vendimet e rëndësishme të Kuvendit të 18 dhjetorit, ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën. Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.

Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës. Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.

Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.

Ky ankim është një nga tre ankimet e grupimeve të Partisë Demokratike në Gjykatën e Apelit. Në 16 maj, në këtë gjykatë janë depozituar dy të tjerë nga ana e anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, mbështetësit e Sali Berishës në PD. Kërkesa e parë ankimore është kundër ankimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, që ligjëroi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021, të thirrur nga Sali Berisha. Ndërsa në tjetrin, mbështetësit e Berishës kundërshtojnë vendimin që e pranoi Alibeajn si palë në përballjen e tyre gjyqësore. Këto dy ankime janë në pritje të shqyrtimit dhe ende nuk është caktuar një datë për to.