Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot për vendimin e Këshillit Evropian që të fillojnë negociatat për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Edhe pse shumë i vonuar, lajmi i mirë vjen nga Këshilli Evropian ku është rënë dakord që të fillojnë negociatat për liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Balla.

“Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023. Dhe në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, theksoi Balla në një postim në rrjetet sociale.

“Ky është vërtet një lajm i mirë! Më në fund ka një datë finale”, tha ai.