Rigejs Alushi nga Lezha është rikthyer nga emigrimi dhe merret me blegtori. Ka 110 krerë dele dhe nuk e mendon më largimin, madje ka një apel për të rinjtë që nuk po e gjejnë veten në vendlindje.

“Punoja gjithmonë në lokale, kamarier dhe kam pas dashuri për kafshët dhe thashë po kthehem dhe të hap fermën time. U fiksova tek delet dhe kush ka dele e di sa e dashur është delja”, thotë Alushi për Report TV.

Rigejsi tërheq vëmendjen kur kalon në rrugët e fshatit turistik “Ishull-Lezhë” me tufën e deleve. Shtatë vite më parë kur u kthye nga emigrimi për të hapur fermën në vendlindje e shihnin me përçmim, por tani jo më…

“Realisht në fillim ka qenë e vështirë. Kisha jetu 4 vjet e gjysmë jashtë, dhe kur më shihnin mendonin se kisha ndonjë problem, dhe në fillim kisha ndrojtje, më shihnin me përbuzje, ndërsa tani kanë kënaqësi kur më shohin ngaqë nuk sheh shpesh njerëz me bagëti në rrugë”, thotë Alushi.

38-vjeçari ka 110 krere bagëti të imëta për të cilat kujdeset vetë që stalla në kullotë. Të ardhurat s’janë të shumta, por ia del të mbajë familjen. Për ta çuar përpara këtë sipërmarrje, blegtori i ri nga Lezha ka nevojë për mbështetjen e institucioneve shtetërore.

Dashuria per kafshët e nxiti te bëhët çoban dhe nuk ka ndërmend të largohet, madje ka një apel për gjithë të rinjtë që mendojnë vetëm largimin nga vendi.

“Realisht kam pas oferta, para 6 muajve më thanë me ik jashtë me rujt 300 krere me pagesë 100 euro në ditë, me thënë drejt e kam vendos me jetu në Shqipëri. Unë e kam provu emigrimin 7-8 ditë kam ndejt dhe pa lek buke. Di 4 gjuhë të huaja, por jeta jashtë vendit nuk është si në dasëm.

Unë s’mund të mendoj se një 16-vjeçar e ka idenë se çfarë po bën kur hipën në gomone, nuk është jeta ideale andej, gur i rëndë peshon në vend vet!”, thotë Alushi.