Në një deklaratë për media për operacionin e bërë dje në laboratorin me drogë në Fier SPAK u shpreh se porosia është bërë që në maj të 2022 dhe në plehun organik ishin 430 kg kokainë! SPAK nënvizon se plehu organik u porosit nga Shqipëria dhe do të transportohej me anije nga Kolumbia përmes Portit të Pireut të Greqisë ku u mor nga porositësi shqiptar.

“Ky procedim është hetuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në bashkëpunim me autoritetet malazeze, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit, referuar informacioneve që disponoheshin lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” artificial, e cila ishte paketuar dhe ngarkuar në një kontejner që do transportohej me anije nga Kolumbia, përmes Portit të Pireut/Greqi, me destinacion tranzit portin Bar/Malin e Zi, për marrës një shtetas nga Shqipëria.

Nga verifikimet e kryera rreth shtetasit shqiptar, rezultoi se në fillim të vitit 2022, kishte regjistruar një biznes në emër të tij me objekt të aktivitetit, ndër të tjerave edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë.

Më konkretisht sasia me “pleh-organik”, në muajin maj 2022 pasi ngarkohet në kontejner, nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi. dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022. e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022. Pasi është zhdoganuar ngarkesa me “pleh-organik”, nën koordinimin e vazhdueshëm të personave nën hetim është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri, dhe ditën e djeshme më datë 24 nëntor 2022, është bërë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese në Farkë të Madhe Fier.

Për interesa të këtij procedimi penal rezulton se Prokuroria e Posaçme, krahas veprimeve hetimore, ka pranuar kërkesën e autoriteteve malazeze të drejtësisë, duke autorizuar kryerjen e veprimit simuluese atë të “dorëzimit të kontrolluar”. me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e grupit të personave që kanë organizuar dhe financuar blerjen e ngarkesës, kanë mundësuar përzierjen, blerjen e sasisë së dyshuar të lëndës narkotike të llojit kokainë në Kolumbi, si dhe kanë mundësuar transportimin e saj deri në Shqipëri.

Me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të “ngarkesës” brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë, pagesat e realizuara për blerjen, transportimin dhe zhdoganimin e saj, personat që do kujdeseshin për pritjen dhe marrjen në dorëzim të ngarkesës në Shqipëri, personat që do kujdeseshin për muajtjen, magazinimin dhe ekstraktimin e lëndës së dyshuar narkotike nga sasia me “pleh-organik”, dhe kush ishin personat e specializuar që do mundësonin kryerjen e këtij procesi, janë autorizuar nga Gjykata e Posaçme gjitha veprimet mbi aplikimin e mjeteve të kërkimit të provës.

Si rezultat i kontrolleve, janë sekuestruar provat materiale si më poshtë vijon:

15,910 Euro;

3 armë zjarri automatik kallashnikov;

3 armë zjarri të llojit pistoletë

108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm:

18 aparate telefonash celulare

5 automjete

2 laptop

2 arme gjahu

20 paleta me rreth 24 TON “pleh artificial”, brenda së cilës ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se përmban një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë vlera e saj kap shifrën rreth 40 MILION euro.”- tha prokurori.