Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiç më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.
Vuçiç ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 8 në mëngjes, dhe ka ripërsëritur kushtet e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimin për targa.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi me Vuçiç mbahet të hënën.
Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.
Ende nuk është e qartë se a do të veprojë Qeveria e Kosovës sipas planit. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse autoritetet e Kosovës fillojnë t’i ndëshkojnë shoferët që nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre, Vuçiç tha se serbët “nuk do ta pranojnë këtë”.
Ndërsa në pyetjen se si do të reagojë Serbia nëse Njësitë speciale të Policisë së Kosovës marrin pjesë në zbatimin e vendimit, presidenti i Serbisë tha: “Atëherë kemi ferr në terren, sepse Njësia speciale e Kosovës nuk ka çfarë kërkon në veri të Kosovës”.
Vuçiç tha se shpreson që të mos ketë konflikt të armatosur.
“Por kjo nuk varet më nga ne. Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur“, tha ai, dhe shtoi se paqja varet nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj autoriteteve të Kosovës.
Sipas tij, kur është fjala për Kosovën, besimi i vetëm që ka është në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e krizës.
“Sa i përket të tjerëve, gjermanëve dhe të tjerëve, nuk u besoj asgjë në lidhje me Kosovën”, ka thënë ai, pa dhënë më shumë detaje.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.
Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës që të të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.