Kamionistja shqiptare në Itali, Bianka Dervishi tregoi një rast ku ajo është ndaluar nga policia italiane, teksa udhëtonte me kamion.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Dervishi deklaroi se në një moment, ajo po bënte një video për ta hedhur në rrjetin social, Tik Tok dhe një polic i kërkoi që të ndalonte.

Megjithatë, Bianka nënvizoi se polici i tha se kësaj here mund të vazhdonte dhe se nuk përbënte problem.

“Një rast ishte kur isha me telefon në dorë dhe po bëja një video. Po rregulloja telefonin dhe po bëja një video për Tik Tok-un tim. 

Shikoj këtë policin që ma bën me tabelë, edhe unë ndaloj. I them, po më thoni, ec më tha nuk ka problem. Më falni edhe këtë”, u shpreh kamionistja.

Bianka shtoi se ka takuar njerëz të cilët e ndjekin në Tik Tok.

“Kjo ka ndodhur shumë shpesh në Itali kur arrita në Bari. Po vija me makinë nga Shqipëria dhe më ndalon financieri. 

Më shikon makinën dhe i thërret një kolegut të vet, i thotë hajde pak, shiko se kush është. Kam një koleg tha, që me çmend duke më treguar videot e tua, që shiko, edhe ne kemi femra kamioniste në Shqipëri, shqiptare.

Ishte një emocion vërtet i bukur për mua. Financieri ishte italian, por kishte një koleg shqiptar. U ndjeva shumë krenare, e falenderova që më ndjek, bëra një foto madje. E hodhi ai se nuk më ka bërë tagg”, theksoi ajo.

Prej 16 vitesh, Bianka ka emigruar dhe jeton në Itali, ku ka vendosur që të punojë si kamioniste.

Bianka ka hequr dorë nga profesioni i saj si parukiere për t’u përkushtuar plotësisht pasionit të saj. Ajo është komentuar shumë dhe është vënë në qendër të vëmëndjes për faktin se është e para femër kamioniste.