Japonia bëri surprizën e radhës në Botërorin e Katarit, pasi mposhti 1-2 me përmbysje Gjermaninë, ndërsa një nga protagonistët ishte padyshim edhe ish-mbrojtësi i Interit, Yuto Nagatomo, i cili luajti titullar dhe bëri një paraqitje mjaft të mirë. Pas ndeshjes Nagatomo pranoi se ishte një fitore shumë e rëndësishme, megjithatë nuk u ndal me kaq, pasi paralajmëroi të tjera surpriza të Japonisë dhe kërkoi më shumë vëmendje për futbollin aziatik.

“Ishte një rezultat i pabesueshëm, pasi i treguam botës se sa vlen përfaqësuesja jonë, por nuk përfundon këtu. Jemi përgatitur për të bërë të tjera ndeshje të mira dhe për të marrë të tjera fitore. Nga nesër ulim kokën e punojmë shumë në stërvitje. Skuadrat aziatike janë rritur shumë taktikisht dhe fizikisht, pasi 10 vite më parë nuk luanim dot me një intensitet të tillë”, deklaroi Nagatomo.