Lionel Messi është në vitin e fundit të kontratës me PSG teksa në verë argjentinasi është i lrë të zgjedhë destinacionin e radhës. Në fakt, parizienët këmbëngulin për të rinovuar kontratën me 35-vjeçarin, mirëpo nga ana tjetër, edhe Barcelona shpreson në një rikthim të “pleshtit” në Camp Nou, për t’i dhënë lamtumirën e merituar klubit ashtu siç e ka theksuar edhe presidenti Joan Laporta. Megjithatë, një nga miqtë më të ngushtë të sulmuesit në botën e futbollit, Andres Iniesta e sheh të vështirë një rikthim të Messit në Katalonjë edhe pse mesfushori thekson se nuk mund ta parashikojë të ardhmen.

“E shoh pak të vështirë që Messi të rikthehet te Barcelona. Megjithatë, unë nuk jam as Leo dhe as Laporta, ndaj nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Mua do të më pëlqente si ide rikthimi i tij, por këtë duhet të ndjejë edhe Messi dhe më pas të shihet mundësia për ta finalizuar transferimin.

A ka dështuar Xavi? Mua nuk më pëlqen kjo fjalë. Dështimi është relativ dhe gjithkush e mendon ndryshe. Sigurisht te Barcelona ka një zhgënjim duke qenë se vijnë nga një periudhë shumë e suksesshme. Por, skuadra dhe Xavi po bëjnë maksimumin. Prej emërimit të Xavit ka pasur zhvillim, skuadra aktuale është e plotësuar në të gjitha repartet. Champions-i vendoset nga detajet dhe të mos harrojmë se ata mund të kishin fituar në transfertë si ndaj Bayernit, ashtu edhe ndaj Interit. Por, kjo nuk ndodhi dhe tashmë jemi në një situatë të ndryshme”, u shpreh Iniesta.