Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi dje 1-0 miqësoren kundër Katarit të zhvilluar në Marbella të Spanjës. Trajneri Edy Reja për të dytën ndeshje ftoi lojtarët e Superligës shqiptare, teksa pas duelit për mediet u shpreh se është i kënaqur nga loja, duke thënë se për të dytën herë kuqezinjve iu mohohet 11 metërsh.

“Paraqitje shumë e mirë, jam i kënaqur nga djemtë. Luajtëm shumë mirë. Meritonim një rezultat më të mirë, ndaj një skuadre të fortë. Katari një skuadër e mirë, por ne jo më pak. Na mohuan një penallti, si ndaj Arabisë Saudite. Mund të them se paraqitja mbetet e rëndësishme. Besoj se 4-5 lojtarë do i mbaj me vete për skuadrën e parë”, tha Reja.

Kthimi për në Tiranë nuk ishte i lehtë për trajnerin italian, që vonoi skuadrën pasi pati probleme me dokumentacionin. Për më shumë se 20 minuta trajneri u shoqërua në zyrën policore të aeroportit në Marbella, pasi karta e tij identifikuese kishte probleme. Në fund gjithçka u zgjidh, me 77 vjeçarin që nuk kurseu batutat me sigurinë në aeroport.