Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij të mbajtur në inaugurimin e Spitalit Infektiv u shpreh: “Dua t’i shpreh të gjithë respektin dhe mirënjohjen të gjithë trupës së Spitalit Infektiv, sepse pavarësisht se jemi përtej pandemisë, ajo çka kjo trupë bëri gjatë pandemisë nuk duhet harruar kurrë. Dhe nuk duhet të lënë rast pa e shprehur respektin dhe mirënjohjen dhe besoj që ky investim është një shprehje konkrete e respektit dhe mirënjohjes për t’i dhënë mundësinë kësaj trupe të punojë në kushte më optimale, me standarde më të larat ndërkombëtare.”

“Është vënë një tjetër gur në këtë mozaik. Mbeten akoma për t’u transformuar edhe pak hallka të tjera dhe besoj që brenda këtij mandati qeverisës ne do të kemi një kompleks spitalor, këtu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, tërësisht të transformuar dhe realisht shëmbëlltyrë të ambicies sonë, por edhe të përputhjes se profesionalizmit të mjekeve dhe infermierëve të këtij kompleksi me mjetet dhe hapësirat në dispozicion” vijoi më tej Kryeministri Rama.

Rama nënvizoi se e bukura e këtyre ndërhyrjeve është që i bëjnë edhe më vrastare për sytë ato që janë gjurmë të së shkuarës, kështu që do të duhet të ndërhyjmë, pa humbur shumë kohë edhe për pjesën e Universitetit, sepse është faktikisht e pamundur të qëndrojë në atë gjendje, që dukej në fakt, në fillim si godina më e mirë, tani nuk qëndron më në atë gjendje. Kështu që do të bëjmë dhe një ndërhyrje plotësuese përveç, atyre që përmendi Ministrja.

Falë investimit me vlerë prej 5.6 milionë euro u bë rikonstruksioni tërësor i godinës së vjetër dhe u zgjeruan kapacitetet, duke u shndërruar në një nga godinat më moderne në vend.

Projekti i ri i spitalit ofron një kapacitet prej 118 shtretërish si dhe një dyfishim të ambienteve të reanimacionit me shërbime më të sofistikuara, për trajtimin e sëmundjeve infektive.

Po ashtu, mjediset e këtij spitali sot kanë edhe një shtim të kapaciteteve në repartin e urgjencës me të gjitha pajisjet e nevojshme dhe sipas fjalës së fundit të teknologjisë.

Në QSUT parashikohet përfundimi i Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme, rehabilitimi i spitalit Pediatrik, atij të Kardiokirurgjisë dhe Psikiatrik, nisja e fazës së dytë për spitalin ditor si dhe pajisja me aparatura të avancuara.