Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e tij në 50 vjetorin e Kongresit të drejtshkrimit, ka deklaruar se gjuha është shpirti, identiteti ynë kombëtar dhe amaneti i të parëve.

Begaj u shpreh se nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar, ndërsa shtoi se diaspora duhet mbështetur me politika specifike.

Fjala e plotë:

Të nderuar kryetarë të Akademive të Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, z. Gjinushi e z. Kraja,

I nderuar z. Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës;
I nderuar z. Grubi, Zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut;
Zoti ministër Shaqiri;
Të nderuar nënshkrues të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit;
Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë jubilare, akademikë e profesorë; gjuhëtarë, shkrimtarë e përkthyes, studiues të shqipes;

Ndër shekuj gjuha jonë, shqipja që Fishta e quante gjuhë hyjnore, gjuhë të perëndisë, është shpirti dhe identiteti ynë kombëtar, është amaneti i të parëve.

50-vjet më parë, Kongresi i Drejtshkrimit (1972), një ngjarje kulmore kjo në historinë tonë kombëtare, vendosi për platformën e gjuhës së njësuar shqipe. Ky kongres ishte pjesë e një rrugëtimi plot sfida të kombit tonë prej Kongresit të Manastirit (1908), i cili hodhi themelet për unifikimin e alfabetit, duke mënjanuar alfabetet e tjera, Kongresit të Elbasanit (1909), që shtroi rrugën e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për arsimim të gjerë publik, si dhe vendimeve historike të Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila për herë të parë hodhi hapa të rëndësishëm drejt një politike gjuhësore unifikuese në shërbim të gjuhës së njësuar, si kërkesë që përligjte dhe e bënte funksional unitetin politik të kombit.

Pas pak ditësh, ne do të kujtojmë 114-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe Ditën e Alfabetit Shqip. Një ngjarje madhore për historinë e gjuhës dhe kombit tonë. Atdhetarë e dijetarë të ndritur, nga gjithë Shqipëria e diaspora, u ngritën mbi qasjet vetjake dhe punuan për atë që ata e quajtën “qëllim të shenjtë”: Alfabetin e Përbashkët.

Nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar.

Parimi i trysnisë për kompromis të natyrshëm të vetë folësve të gjuhës amtare për një funksionim ndërdialektor të njësuar, prej Rilindjes Kombëtare e këtej, ka ndikuar pozitivisht në njësimin e gjuhës shqipe, duke qenë një faktor nxitës për standardizimin e saj.

Problemi i një shqipje të njësuar letrare u zgjidh praktikisht qysh me vendimet që u morën në Prishtinë në vitin 1968. Për atë periudhë është ndoshta rasti i vetëm që një propozim me ftesë për debat nga gjuhëtarët e Tiranës të kthehet menjëherë në rregull për zbatim nga gjuhëtarët në Prishtinë.

Kongresi i Drejtshkrimit në 1972-in mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë.

Prandaj firmëtarëve të këtij kongresi u takon mirënjohje historike.

Brenda kësaj arritjeje historike jo vetëm gjuhësore, por dhe kulturore e atdhetare, është mundi intelektual dhe projekti atdhetar i Naim Frashërit e Gjergj Fishtës, i shoqërive patriotike, klubeve, kongreseve e kuvendeve të Rilindjes Kombëtare, që ndërtuan shtet pa pasur ende shtet.

Gjuha e njësuar shqipe është testamenti i pesë shekujve histori shkrimi të shqipes, i zhvillimit intelektual mbarëshqiptar, i pjekurisë shkencore e atdhetare të botës sonë.

Kujdesi për zhvillimin, përparimin, mbrojtjen e fisnikërimin e gjuhës letrare të njësuar është një detyrim kushtetues për ne, për studiuesit e institucioneve shkencore; është një çështje dinjiteti e përgjegjësie kombëtare për të gjithë folësit e saj, kudo që jetojnë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Është e vërtetë se standardizimi i një gjuhe përkon thuajse gjithmonë me një histori komplekse social-politike, që nënkupton një akt autoritar në vendosjen e një varianti mbi të tjerët.

E megjithatë, standardizimi ndihmon në forcimin e identitetit të përbashkët gjuhësor e kombëtar, në një hapësirë gjithnjë e më të madhe folësish.

Është e udhës të jemi realistë dhe të pranojmë se ky përvjetor vjen me sfida për shqipen dhe për bashkësinë e akademikëve dhe gjuhëtarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë.

Nga pikëpamja demografike, ne shqiptarët nuk e kemi luksin të tregohemi të pavëmendshëm në nxitjen e varianteve, që zhvillohen në mënyrë të pavarur, a me numër më të tkurrur folësish.

Por nuk kemi as përse të pranojmë ngurtësimin e shqipes. Ngurtësimi nuk e ndihmon zhvillimin dhe jetëgjatësinë e saj.

Zhvillimi teknologjik, globalizimi dhe hapja ndaj kulturave dhe gjuhëve të tjera, komunikimi dhe ndërveprimi njerëzor, kanë marrë zhvillim si asnjëherë më parë, si në botën fizike dhe atë virtuale.

Konteksti historik, politiko-social, linguistik e letrar, në 50 vitet e fundit, ka përjetuar ndryshime të qenësishme në mbarë hapësirën shqiptare.

Gjuha si organizëm i gjallë, nuk ka si të mos reflektojë zhvillimet e kohës. Ndaj, diskutimet janë të mira. Ato tregojnë se kemi nevojë të kuvendojmë dhe se kjo është një punë që e kemi për zemër.

Por diskutimet për rishikim e pasurim kanë nevojë për transparencë dhe frymë. Transparencë, – sepse për nga vetë natyra, gjuha është gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Frymë, – sepse çdo debat gjuhësor që krijon përçarje është më i dëmshëm kombëtarisht, sesa i dobishëm shkencërisht.

Pa transparencën dhe frymën e duhur, ato kthehen në pengesa, që vështirësojnë përparimin drejt destinacionit të përbashkët: një shqipe që e ndajmë, që e ndjejmë dhe e kultivojmë bashkë, sot dhe për brezat që vijnë.

Në një botë, ku kulturat e mëdha po ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirat për kombe e kultura të vogla, nevoja për pasurimin e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga huazimet e panevojshme është e madhe.

Lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet t’i jepet përparësi në shkolla, në mënyrë që brezi i ri, jo vetëm të marrë njohuri të thella të gjuhës amtare, por të edukohet me krenari për gjuhën dhe kulturën, së cilës i përket.

Veçanërisht diaspora duhet mbështetur me politika e programe të posaçme. Edhe pse larg atdheut të të parëve, brezat e rinj duhet të rriten me vetëdijen se i përkasin të njëjtës botë shqiptare.

Puna për pasurimin e fjalorit të shqipes dhe përpilimin e fjalorëve, që pasqyrojnë ndërveprimin e saj me gjuhë të tjera, duhet të jetë parësore për akademikët dhe gjuhëtarët.

Ngjyrimet dialektore janë pasuri dhe pjesë e trungut origjinal të shqipes, të cilat i bëjnë nder gjuhës dhe e mbrojnë nga huazimet e panevojshme.

Jo më pak e rëndësishme është nevoja për mbrojtjen e shqipes nga padija gjuhësore dhe mosrespektimi i rregullave të saj. Gjuhëtarët dhe shkrimtarët duhet të kthehen në pedagogë të zëshëm publikë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sa më të gjerë kufijtë e gjuhës, aq më të gjerë dimensionet e mendimit dhe shprehjes së një njeriu dhe të kombit.

Shqipja është bota jonë – një botë që pret ta eksplorojmë dhe pasurojmë bashkërisht, deri në kufijtë e skajshëm të saj.

“Një komb një gjuhë”

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese!

Faleminderit!