Nga Frrok Çupi

Më së fundi, banditët e lanë të gjallë; por kjo nuk ishte një dhuratë. Gazetari Adriatik Doçi, pardje u qëllua barbarisht, në rrugën e shtëpisë së tij në periferi të Tiranës. Ata që e qëlluan ishin me koka të mbuluara me kapuça të zinj dhe në duar mbanin armë, të ftohta e të nxehta. Nuk ia falën jetën pse ‘u prekën nga jeta e re’, e as ia bënë dhuratë pjesën tjetër të jetës. Gazetarin e lëshuan siç lëshohen pëllumbat e kapur rob që të fluturojë drejt ‘kopesë’ së tyre dhe të lajmërojë çfarë pa.
Tani Adriatikun po e presin në ‘kopenë e gazetarëve’; edhe pse duken indiferentë, në fakt po ziejnë për ‘ashtu e për kështu’. Ka tre ditë që shumica e gazetarëve heshtin, sikur asgjë nuk ka ndodhur me njërin prej tyre. Po të shpreh me fjalë atë që shikoj në lëvizjet e tyre, mund të them ‘si ata, ashtu edhe ata’ po mendojnë se ‘mirë ia bënë’.
Ata që nuk ‘shkojnë e vijnë’ në redaksi ngarkuar me përpjekjen për të thënë të vërtetën…

Ata nuk e duan më ‘të gjallë’ Adriatik Doçin. Sepse ky u prish formulën. Lajmi i rremë, shpifja, keqinformimi, sajimi…, të gjitha janë bimë me të cilat ushqehen mediat gjatë ditës. Pse i sjellin gazetarët e ku i gjejnë këto bimë? I sjellim për të ushqyer bosin; bosët e medias në përgjithësi janë ca ‘teka hyke’, pa lidhje me shkrim e këndim, me ustallëk tjetër nga ustallëku i të vërtetës. E ç’lidhje kanë këta me të vërteten?! Kur ‘kujdestarët’ e etikës ngrenë alarme për ‘liri të medias’, në fakt kanë thënë ‘liri e pronarit’. Lirinë e gazetarit as e zë njeri në gojë. Prandaj ata sjellin në redaksi sa më shumë ‘bimë helmuese’ lajmesh ku ushqehen edhe vetë.
Ata që lexojnë vetëm ‘librat’ e pronarit dhe ku thuhet se ‘media është Shën Pjetri’
Kur i nisin gazetarët për të vjelë bimët e të pavërtetës, iu tregojnë ‘sulmin që prej fillimit’, pavarësisht si është realiteti. ‘Ne jemi Shën Pjetri- u thonë gazetarëve- shteti është Dragoi, do ta mundim!’. Pastaj shkojnë më tej: ‘Merrni çomangen e shpifjes dhe bjerini kujtdo që tenton të na zbulojë’. Shikoni që media është më e frikshme se vetë dhunuesi i Adriatikut? Media bën shpifësin, bën edhe prokurorin, bën edhe gjykatësin… Adriatikun po e gjykojnë për keq kolegët e tij: ‘Po ç’i duhej atij të rrëmonte për të vërtetën?!’, thonë… E ku do të mbytet njeriu nëse thotë një të vërtetë? Turma nuk e do të vërtetën, por as media?! Tani ka hyrë edhe modeli që vetë pronari i televizionit hyn në studio si analist- çfarë nuk e ka parë bota. Pastaj i bllokon fjalën edhe tjetrit sepse ‘je në pronën time’.
Ata që vdesin për të korruptuarin
Dje në mbrëmje po kaloja ekranet shqiptare ku bëhet analiza politike. Të gjithë në ekrane janë personazhe të gazetarisë së Adriatik Doçit, dosje që tashmë ndodhen në hetim nga SPAK. Media i ka hapur ekranet korrupsionit. Në njërin u shfaq Ilir Meta dhe lëshonte kushtrimin: ‘Ma sillni këtu kryeministrin ta shqyej para jush’. Ky është më i korruptuari në kontinent. Në ekranin tjetër pashë Sali Berishën, deri më sot mban postin më të lartë të të korruptuarit në rruzullin tokësor. Ai po ulërinte: ‘Ma sillni gjykatësin që nuk më jep të drejtë mua, ndryshe do të ndez vendin në flakë’.
Në një ekran tjetër Monika, simbol i keqpërdorimit të fondeve publike dhe skenave ‘me të varfër’. Ekrani i katërt kishte një politikane që kishte zënë vendin e gazetarit. Sinjali që vjen prej kësaj nate televizive është i tmerrshëm: Sipas këtij fati mediatik, së shpejti mund të kemi Parlament- media, Media- Parlament, drejtësi- shpifje sipas medias, dhe media- pushtet. Deformimi i shtetit dhe i shoqërisë do të arrihet nga paratë e vjedhura prej të korruptuarve. Media u hap ekranet dhe faqet këtyre, e vërteta ka vdekur.
Po shkoi kështu, atëherë do të notojmë në një katrahurë. Kategoria Adriatik Doçi, o duhet eliminuar, o duhet mbajtur në kafaz si një skifter i plagosur ku të kalojnë gazetarët e mafies e t’i thonë: ‘Mirë ta bënë!’