Historia e Shqipe Selimit mund të cilësohet sa e jashtëzakonshme aq edhe e pabesueshme, e cila u bë ushtare e UÇK-së që 14 vjeç që luftoi për lirinë e Kosovës e deri tek kandidate për deputete me nr. 10 në listat e Vetëvendosjes.

Në foton më poshtë, Shqipe Mehmeti Selimi, ndodhet në krah të kryeministrit Edi Rama. Shqipe Selimi është bashkëshortja e Rexhep Selimit, një nga krerët e UÇK që po mbahen të burgosur në Hagë.

Shqipe Selimi ishte vetëm 14 vjeç kur mori vendimin për t’iu bashkuar luftës në Kosovës. Ajo jetonte në Gjermani sëbashku me familjen e saj dhe kishte pranuar të linte emigracionin për t’iu bashkuar ushtarëve të UÇK-së bashkë me të atin e saj.

Shqipe Selimi është njohur me Rexhep Selimi gjatë luftës, një nga themeluesit e UÇK-së në luftë, por u martuan pas luftës, kur Rexhep Selimi ishte Ministër i Brendshëm dhe ajo punonte në atë ministri dhe më pas të dy iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.

Si pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit 1998 ajo ishte e vendosur në Zonën Operative të Drenicës; gjatë 1999 ajo luftoi në Zonën Operative të Karadakut. Më vonë shërbeu si pjesëtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, në Zonën e VI Mbrojtëse gjatë viteve 2000-2009, ku mbante pozitën e Oficerës në Qendrën Operative të Zonës së VI.

Në Akademinë e Mbrojtjes të Kosovës në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës, ajo shërbeu si Oficere në Qendrën Simulative. Gjatë shërbimit në TMK, Shqipja mbante gradën ushtarake Kapiten.

Prej 2010 nisi aktivitetin politik me Lëvizjen Vetëvendosje. Rexha dhe Shqipja sot janë prindër të dy fëmijëve, të cilët jetojnë me nënën në Prishtinë.