Nga Jakin Marena/

Dy deputetë të Partisë Demokratike dorëzuan mandatin e deputetit dhe u larguan nga partia. Ish nënkryetarët demokratë kohës së Lulzim Bashës, përkatësisht Grida Duma e Alfred Rushaj, pasi bënë publik vendimin për heqjen dorë nga mandati i deputetit, kanë formalizuar kërkesën në institucionet përkatëse, duke shpejtuar që të ndahen njëherë e mirë dhe sa më parë nga kjo parti, shumica e të cilës është rikthyer sërish në dorë të “pronarit” të saj Sali Berisha.

Arsyet që dhanë për të materializuar heqjen dorë nga pozicioni i deputetit dhe për pasojë dhe nga PD kanë qënë personale. Arsyet zyrtare themi. Megjithëse Grida Duma nëpër rreshta deklaroi se gjatë gjithë kësaj kohe ishte bërë “target” i sulmeve monstruoze politike, madje dhe brenda partisë, që ia bënte të pamundur vijimin më tej të kësaj situate. Dhe mbi të gjitha ajo nënvizoi qartë se PD duhej të orientohej nga aleati strategjik SHBA. Pra akuzoi indirekt se kjo parti ka lëvizur nga ky bosht, që me ardhjen e Berishës në krye të grupmit më të madh të saj.

Thuhet se Duma do të jetë pjesë njërit prej televizioneve publike shqiptare dhe me shumë gjasa do të moderojë ndonjë emision televiziv. Pavarësisht se një lëvizje e tillë përben një precedent në median shqiptare, pasi Grida Duma nuk ka qënë pjesë e mediave asnjëherë, vetëm subjekt i saj, në pozicionin e zv.ministres së Integrimit më herët e të deputetës më vonë, por dhe drejtuese e lartë e PD. Por ky moment është komentuar tashmë dhe në thelb tregon vërtetë nivelin se ku ka rënë media në Shqipëri, e cila zyrtarisht tashmë është në një “simbiozë” me politikën.

Do ta kishim marrë si arsye personale dorëheqjen e deputetëve Duma dhe Rushaj, ky i fundit ka qënë dhe kryetar i grupit parlamentar demokrat, nëse ky “ky eksod” do të ishte një rast i veçuar në radhët e opozitës shqiptare. Një luks i tepër ky dhe për një opozitë të konsoliduar.

Por teksa shohim situatën e brendshme në PD, e cila gjendet e mbërthyer nga kriza e lidershipit dhe e ndarë në dy pjesë, shumica që drejtohet nga Berisha dhe tjetra nga Alibeaj që ka vulën dhe logon zyrtare të partisë, mund të themi se situata është akoma më e thellë.

Ndonëse më 10 nëntor gjykata e Apelit do vendosë se kush do ketë në zotërim, PD-në zyrtare, pra vulën dhe logon, do ta mbajë Alibeaj e grupi i tij apo “Rithemelimi” i Berishës, kriza që ka mbërthyer partinë më të madhe opozitare ka zbritur dhe në bazën e partisë, gjë që reflektohet pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm dhe përgatitjet për këtë sfidë elektorale. Që është jo pa rëndësi për opozitën, madje përcaktuese për ekzistencën e saj.

Berisha ka shpallur fillimin e primareve, për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie në të gjithë vendin, pikë e statutit nga e cila ai ka deklaruar se s’do ketë asnjë cedim. Pavarësisht kërkesës së bazës së partisë për të dalë me një kandidat të përbashkët në 61 bashkitë e vendit më 14 maj, si mundësia e vetme për të marrë një rezultat dinitoz përballë një mazhorance të konsoliduar dhe që nuk ka asnjë “firo” mbështetjeje, Berisha nuk është tërhequr nga vendimi i tij. Nuk ka asgjë për t’u çuditur në fakt, pasi Berisha nuk e njeh “marshin indietro”.

Anipse në rastin konkret, primaret ishin pika e vetme që formalisht i ndante grupin e Alibeajt me atë të Berishës për të bashkuar forcat kundër kandidatëve të mazhorancës në zgjedhjet e ardhshme vendore, kreu i “Rithemelimit” i vuri kundërshtarët brenda PD para faktit të kryer, duke filluar menjëherë procesin, ndërkohë që negociatat Paloka-Bardhi vazhdonin. Kjo solli dhe dështimin e bisedimeve për bashkim, dhe të dyja grupimet në PD tashmë janë deklaruar të vendosur se do dalin me kandidatët e tyre më vete, më 14 maj.

Pra, PD hyn në zgjedhje e ndarë në dy pjesë, dhe pavarësisht disa “inxheksioneve” rrugës, që janë marrëveshjet e Berishës me Metën për koalicion zgjedhor apo me disa nga partitë e vogla aleate të përhershme në zgjedhje, dhe sikur të gjitha bashkë të dalin në bllok, situata është mëse e pashpresë për opozitën, që më 14 maj të marrë ndonjë rezultat pozitiv në 61 bashkitë e vendit.

Sinjalet po vijnë nga baza. Deri më tani janë bërë publike disa refuzime të kandidaturave të propozuara në emër të “Rithemelimit” për të hyrë në primare dhe për t’u përzgjedhur më pas si kandidatë të vetëm për të garuar në zgjedhjet vendore për kryetar bashkie.

Vetëm të martën u publikuan dy refuzime kandidimi, në Korçë dhe në Krujë, ndërkohë që mësohet se në 60 përqind të bashkive në vend, bashki kryesore ose jo, deri më tani nuk është vetë-ofruar apo të ketë pranuar propozimin që të garojë në primare dhe një kandidat i vetëm.

Pra Berisha nuk po gjen njerëz për të futur dhe në primaret e tij, jo më të ketë përzgjedhur kandidatin që do garojë përballë rivalëve socialistë më 14 maj. Aq më tepër të ketë një kandidat të saktë që të jetë pretendent për të fituar.

Një opozitë që po qëndron jashtë pushtetit për tre mandate në qeverisjen qëndrore, dhe një kohë akoma më e gjatë në qeverisjen vendore, ku aktualisht s’ka asnjë lidhje me qeverisjen lokale, për shkak të vendimit absurd të bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ku përpos bashkisë së Shkodrës që u mbajt me “dhunë” nga Voltana Edemi, dhe u rimor me “brekë nëpër këmbë” nga kandidati i “Rithemelimit” në zgjedhjet e pjesshme më 6 mars të këtij viti, të gjitha bashkitë e tjera e këshillat bashkiakë janë në masën 100% në dorë të PS, duhej t’i kishte gati kandidatët për garë me kohë dhe vakt. Madje, tashmë duhej të ishte në fushatë. Opozita është gjithmonë gati për zgjedhje, të parakohëshme apo datën e caktuar. Një opozitë normale themi.

Por ka ndodhur e kundërta. Është PS në mazhorancë totale në pushtetin qëndror dhe vendor, ajo ka filluar organizimin për fushatën e zgjedhjeve të 14 majtit të vitit të ardhshëm. Kjo ka ndodhur për shkak se PD dhe opozita janë në kaos total. Dhe pikërisht mungesa e shpresës për të fituar në zgjedhjet vendore është reflektuar në tërë “piramidën” e partisë. Pasi ka një refuzim thuajse total nga emrat e përcaktuar për të qënë pjesë e garës së zgjedhore, që të jenë kandidatë për kryetarë bashkie në emër të “Rithemelimit” të Berishës. Dhe deri diku kanë njëfarë të drejtë. Pasi askush s’mund të hyjë në një garë, për të cilën nuk ka asnjë siguri matematike për të fituar. Aq më tepër të lësh dhe mandatin e deputetit për një garë të humbur. Ndaj ka një refuzim të tillë masiv për të garuar për kryetar bashkie më 14 maj të vitit të ardhshëm.

E njëjta gjë po ndodh dhe në grupimin tjetër, atë të Alibeajt që drejton PD-në zyrtare. Kanë vulën e logon e partisë këto momente, kanë dhe shumicën e grupit parlamentar, për fatkeqësisht s’kanë elektorat. Sa nga frustimi që vjen nga Berisha dhe grupi i tij teksa i akuzon si bashkëpunëtorë dhe shërbëtorë të Ramës, sa nga humbjet e njëpasnjëshme që ky lidership me në krye Bashën, pas të cilit qëndroi si ‘hije’ Berisha për 9 vite, i ka sjellë PD që nga 2013-ta e këtej, sa dhe nga mungesa e shpresës për fitore, dhe kjo pjesë e PD nuk ëhstë gati për zgjedhje.

Me gjithë vendimet për ristrukturimin e PD të bëra publike nga Alibeaj, me gjithë vendimin për të përzgjedhur kandidatët për kryetarë bashkie dhe hyrë më vete në zgjedhjet vendore, e vërteta e kulluar është se deri më tani nuk ka asnjë emër të bërë publik si kandidat në ndonjë bashki në vend nga ky grupim. Pra në asnjë prej 61 bashkive. Zero kandidatë.

I nënvizuam këto fakte për të treguar se në PD, sidomos me rikthimin e Sali Berishës në krye të “pronës” së tij, pas dëbimit të Lulzim Bashës nga kreu i partisë, ka humbur shpresa. Praktikisht në PD askush nuk e mendon se mund të fitojnë më 14 maj. Madje dhe rikthimin e Berishës në krye të kësaj partie, pas 9 vitesh në prapaskenë, nuk e shohin si një mundësi për ringritjen e PD, por si një qëllim të liderit historik për ta pasur partinë si një “mburojë” për hallet e tij personale.

Pra përdorimin e PD për hallet e Berishës me SHBA, pas shpalljes “non grata” familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, e kanë kuptuar dhe ata që e kanë mbështetur më shumë rikthimin e tij nga pensioni politik.

Që në startin e parë të ngritjes së strukturave e forumeve drejtuese të “Rithemelimit” që shpreson që duke marrë vulën dhe logon e PD të përfaqësojë tërë partinë, u pa se Berisha më shumë se sa një parti sfiduese për të ardhur në pushtet, po ngrinte një “parti-gardë” për ta pasur si mbrojtje për hallin e tij përballë SHBA por dhe përballë drejtësisë.

Po të marrësh në analizë një për një të gjithë emrat që përbëjnë anëtarësinë e Këshillit Kombëtar, kryesisë, sekretariatit si dhe nënkryetarët e “Rithemelimit”, shihet qartë se aty gjenden në shumicë përfaqësues nga treva prej nga vjen Berisha, kamikazë dhe njerëz që kanë qënë në nivelet e poshtme të hierarkisë partiake, në kohën kur PD dhe mund të quhej parti e organizuar.

Ata që e mbështetën Berishën fort por që patën fatin e keq të pasjes së certifikatës së lindjes jashtë rrethit të ngushtë të Berishës, mbetën jashtë forumeve, mbetën jashtë sekretariatit dhe për pasojë jashtë kupolës drejtuese të “Rithemelimit”.

Edhe ata pak deputetë apo anëtarë forumesh që e “drodhën” në momentet e fundit dhe kaluan nga grupi i Alibeajt tek ai i Berishës, ndonëse ishin ambiciozë për të pasur një vend në strukturat drejtuse të “Rithemelimit”, praktikisht mbetën në periferi. Dikush mund të thotë se vendos vota. Por në PD të gjithë e dinë, vota orientohet nga Berisha. Pra nuk i donte Berisha, i cili ose kërkonte t’i “kaliste” në “gjirin e anëtarësisë” si anëtarë të thjeshtë partie për të shlyer me devotshmëri dhe shërbim ‘gabimin’ që i dolën kundër, ose nuk ka besim tek ata.

Në këtë kategori hyn dhe Grida Duma, e cila madje u cilësua nga Berisha “Nora e Kelmendit”, vetëm e vetëm se iu përgjigj ashpër në Kuvend Edi Ramës, kryeministrit socialist për një çështje të caktuar. Dhe mbeti thjeshtë e vetëm me këtë “titull” verbal “Nora e Kelmendit”. U la sërish jashtë strukturave e forumeve të larta të “Rithemelimit”. Pra jashtë “rrethit” qëndror të drejtimit të grupimit më të madh në PD të drejtuar nga Berisha.

Në politikë gjithkush hyn për të ngjitur shkallët e karrierës, një nga një apo dhe dy e më shumë njëherësh, sipas aftësive. Ndërsa tek “Rithemelimi” Berisha e ka lënë larg “kështjellës” së tij politike, kupolës drejtuese themi, “klonin” të cilin duhet të kapërcejë gjithkush që pretendon për të qënë pjesë qëndrore e drejtimit të partisë. Atë e kalon vetëm ai që ka mbështetjen e Doktorit.

Pikërisht këtë fakt ndoshta pa Grida Duma, madje e provoi dhe në kurriz. Ndonëse nuk u sulmua drejtpërdrejt nga Berisha apo pjesa tjetër e lidershipit, jo vetëm që u la jashtë “kupolës” drejtuese të PD, por u sulmua ashpër nga mediat afër kreut të “Rithemelimit”. Me të gjitha mënyrat e mjetet, pa i kursyer as familjen.

Jo vetëm Grida Duma, jo vetëm ata që s’kanë pranuar të garojnë në primaret e Berishës, por dhe anëtarët e forumeve të grupimit të Berishës, kanë kuptuar se aty gjenden thjeshtë dhe vetëm për të qënë “truprojë” e Berishës në luftën që ai ka me SHBA-të. Berishës i duhen kamikazë kundër atyre qe e shpallen “non grata” e jo figura që luftojnë për ngritjen e PD në nivelin e pretendimit për të qënë alternativë qeverisëse dhe luftuar për të fituar dhe ardhur në pushtet. Për kaq i duhen Berishës njerëzit që e mbështetën për të rimarrë PD. Por pa SHBA në krah, fitorja është utopi.

Të lodhur nga pamundësia për një ngjitje normale në karrierën partiake, praktikisht megjithëse pretendojnë shumë, maksimumi mund të shkojnë deri te dyshi i partisë, njëshin e ka përvetësuar që në vitin 1991 Sali Berisha dhe nuk e lëshon për qamet, të lodhur dhe nga përdorimi në betejën që kreu i “Rithemelimit” ka me SHBA, Britaninë e Madhe dhe gjithë Perëndimin, “eksodi” në strukturat e PD, grupin parlamentar të PD dhe në garën elektorale për 14 majin në këtë parti, ka marrë përmasa të frikshme. Madje paralajmërohet se dorëzimi i mandatit të deputetit nga grupi parlamentar i PD, në të dy grupet, mund të vijojë dhe më tej, duke e “tharë” nga brenda partinë më të madhe opozitare dhe duke e çuar drejt shuarjes.

Nuk mbahet një parti me zgjidhje emergjence, sado të ftilluar të jenë “skalionet” e dyta të listave të deputetëve apo të strukturave e forumeve të partisë. PD po vjen në nivelin fiks sikurse e kërkon Berisha: Një parti pa pretendime për pushtet, por që të shërbejë si “mburojë” politike në luftën kundër SHBA dhe institucioneve të drejtësisë. Të cilat e kanë “shënjestruar” atë për zullumet e shumta që ka bërë në këto 32 vite, që nga abuzimet me paratë e shtetit, shkatërrimin e drejtësisë, të shtetit e deri te financimet ruse për të përmbysur qeverinë. Do ketë largime të tjera në ditët e ardhshme. Janë paralajmëruar.