Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se data e diskutuar për zgjedhje në veri të Kosovës, është 18 dhjetori, si më e mundshmja kur mund të mbahen zgjedhje në katër komunat veriore të vendit.

“Takimi i sotëm, ku janë ftuar të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend, dhe të gjitha partitë që janë të regjistruara në regjistrimin e KQZ-së, me seli në komunat ku do të mbahen zgjedhjet, u ftuan sot për të diskutuar datën e zgjedhjeve. Nga të gjitha partitë prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet”,- është shprehur Osmani, sipas së cilës data e zgjedhur jepte më shumë mundësi për organizim. Presidentja ka shtuar se një tjetër mundësi ishte edhe data 11 dhjetor. Por kjo pritet të vendoset të nesërmen kur është edhe afati i fundit për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Situata në veri të Kosovës, u tensionua pas dorëheqjeve të zyrtarëve serbë për shkak të vendosmërisë së Kosovës për reciprocitetin e targave që pritet të hyjë në fuqi pas 21 nëntorit. Dorëheqjet e shumta nga ana e policëve serbë, këshilltarëve bashkiakë, gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë shkaktuar mosfunksionim të institucioneve dhe mosmarrje të shërbimeve për qytetarët në veri të Kosovës. Zgjedhje pritet të mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq