Më datë 2 Nëntor u publikua video e dhunës së ushtruar ndaj një gruaje të moshuar në një azil në Pejë të Kosovës.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka intervistuar avokatin e familjes së të moshuarës, z.Meshari Selimaj, i cili ka treguar një tjetër detaj tronditës.

Sipas tij, të moshuarës i janë gjetur të tjera dëmtime në trup. Bëhet fjalë për një dëmtim në shputën e sipërme të këmbës, ku ka një djegie që nuk dihet nga se është shkaktuar.

Për këtë dëmtim, familja e të moshuarës nuk ishte njoftuar nga azili “Orenda” në Pejë. Vajza e të moshuarës e konstatoi vetë dëmtimin pasi kishte marrë nga qendra e të moshuarve nënën e saj kur u publikua video e dhunës.

Avokati Meshari Selimaj: Ne si palë e dëmtuar, unë si avokat i palës së dëmtuar, në krahasim me punën që bën prokurori i shtetit, jemi në një masë të madhe palë, por se prej vazhdimisht dhe para dhënies së autorizimit e deri më sot unë e kam përcjellë këtë situatë në çdo hap dhe rrjedhën e kësaj procedure hetimore ashtu që unë i kam ndërmarrë disa veprime të cilat kanë të bëjnë përkatësisht me një lëndim në këmbën e të dëmtuarës, i cili është evidentuar më datë 4 Nëntor nga vajza e të dëmtuarës dhe familjarët e të dëmtuarës pasi ka ardhur dhe është kthyer në ambientet e saj të shtëpisë.

Spartak Koka: Pra, po flasim për prova të reja? Për plagë të reja të konstatuara në trupin e viktimës? Plagë të cilat nuk ishin evidentuar më datë 2 kur u bë publike historia?

Avokati Meshari Selimaj: Është e vërtetë kjo që thoni. Më datë 2 Nëntor e dëmtuara është marrë nga shtëpia Orenda dhe është sjellë në shtëpi në Gjakovë te vajza. Në datën 3 Nëntor, me kërkesë të organeve hetimore është dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e Pejës. Gjatë atij ekzaminimi që i është bërë, kontrolleve, tek e njëjta janë vërejtur disa lëndime në shpinë dhe në duar. Kurse, pasi janë kthyer nga spitali i Pejës dhe gjatë qëndrimit në shtëpi, me siguri gjatë kohës kur ka pasur qëllim vajza e saj për ta pastruar dhe për ta ndihmuar nënën për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, e kanë konstatuar një djegie e cila në pamje duket e rëndë, në shputën e këmbës së majtë të së dëmtuarës i kanë dhënë një ndihmë të vogël aty dhe të nesërmen më datë 4 e kanë dërguar për kontroll mjekësor në spitalin rajonal në Gjakovë.

Spartak Koka: Unë e kam parë atë foto dhe është realisht shumë e rëndë dhe ne duam ta respektojmë familjen Nura dhe ju si palë për të mos e publikuar. Plaga është e madhe?

Avokati Meshari Selimaj: Mund të them sa një shuplakë e dorës në pjesën e epërme të majtë të këmbës.

Spartak Koka: Është e agravuar si plagë? Është e qelbëzuar?

Avokati Meshari Selimaj: Nuk mund ta jap një konstatim të tillë, por me aq sa kam parë është një plagë e cila duket shumë keq, duket edhe e patrajtuar për shkak se sipas konstatimit të mjekut është plagë e cila është bërë disa ditë më përpara.

Spartak Koka: E patrajtuar në asnjë lloj mënyrë nga pikëpamja mjekësore me medikamente apo me ndonjë krem që mund ta shëronte?

Avokati Meshari Selimaj: Nëse nisem nga fakti se si është gjetur plaga dhe se si shtëpia Orenda nuk e ka lajmëruar vajzën e të dëmtuarës për një plagë të tillë, 4 ditë para publikimit të videos, vajza e të dëmtuarës vazhdimisht e ka telefonuar shtëpinë lidhur me kujdesin dhe për ta pyetur se si është gjendja e saj. Dhe plaga ka qenë me fasho e izoluar dhe është më datë 4 kur ka shkuar në spital është konstatuar dhe është bërë me djegie.

Spartak Koka: Kjo plagë që ju thoni se është në këmbën e majtë dhe është konstatuar nga vajza, mjekët që e kanë mjekuar këtë plagë në këmbë, çfarë kanë thënë? Nga se mund të jetë shkaktuar?

Avokati Meshari Selimaj: Deri në këtë moment shtëpia Orenda as e ka përmendur këtë plagë.

Spartak Koka: Është me dëmtim me goditje? Është djegie?

Avokati Meshari Selimaj: Në bazë të raportit mjekësor është djegie. Mbetet në vazhdim që të përcaktohet se nga se ka ardhur ajo djegie. Është djegie me ujë të ngrohtë apo me çfarëdo djegie tjetër.