Adoleshentët duhet të flenë rreth nëntë orë në natë.

”Në vend të kësaj, ata flenë gjithnjë e më pak”, sipas një studimi nga Universiteti i Adelaides, i cili ekzaminoi mbi 3 000 kërkime të kryera në 20 vende në më shumë se 690 000 subjekte midis viteve 1905 dhe 2008 tek fëmijët nga 5 deri në 18 vjeç, shkruan focus.it.

Vështirësitë konjitive

Ekspertët thonë se këto janë të dhëna shqetësuese, pasi studimet gjithnjë e më të detajuara tregojnë se mungesa e gjumit ka pasoja negative në shëndetin e tyre, veçanërisht në të mësuarit dhe sjelljen.

Studimi i ri i botuar në ”Lancet Child & Adolescent Medicine” ekzaminoi 8 323 fëmijë midis moshës nëntë dhe 10 vjeç për dy vjet, të ndarë në dy grupe: ata që flinin të paktën nëntë orë në natë dhe ata që flinin më pak.

Rezultatet tregojnë se këto të fundit priren të kenë vështirësi konjitive (përpunim të informacionit, memorie e tjerë) dhe vështirësi në sjellje.

Studiuesit më pas ishin në gjendje t’i lidhin këto probleme me anomalitë strukturore shumë specifike, të identifikuara përmes imazhit të rezonancës magnetike.

Faktorët hormonalë

“Anomalitë e vërejtura tek fëmijët që nuk flenë mjaftueshëm janë tipike për mungesën e gjumit edhe tek të rriturit”, komenton Francesco Fanfulla, kreu i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit të institutit ”Maugeri” në Pavia.

Në veçanti, ato kanë të bëjnë me ganglion bazale, një rajon i trurit i përfshirë në rregullimin e ritmit gjumë-zgjim, dhe korteksin, përgjegjës për funksionet më të sofistikuara njohëse.

Studimi është shumë më tepër se një thirrje zgjimi, sepse konfirmon se mungesa e gjumit tek të rinjtë shkakton probleme njohëse dhe të sjelljes dhe sepse identifikon një efekt afatgjatë në strukturën e trurit.