Rome/Sarajevo – “Siguria e vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë njësoj nën kërcënim, nga radikalizimi, ekstremizmi i dhunshëm, migrimi i parregullt, krimi i organizuar, korrupsioni, keqinformimi dhe sulmet kibernetike. Këto prioritete të përbashkëta kanë marrë një tjetër rëndësi nga lufta në Ukrainë, duke e bërë edhe më të qartë rolin e rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të kufijve lindorë të Evropës”, ​​tha dje Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në hapjen e Konferencës së 7-të Vjetore të Sigurisë “Jumbo”, që po zhvillohet në datat 17-18 nëntor në Romë.
Konferenca u organizua nga RCC në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme Italiane dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

“Dy në tre qytetarë të Ballkanit Perëndimor besojnë se lufta në Ukrainë përbën një rrezik për ekonominë e tyre. Kur u pyetën për efektin më të madh të luftës, ata veçojnë rënien ekonomike (77.3%) dhe sigurinë e ushqimit dhe gazit (62.6%) si shqetësimin kryesor. Një përqindje dërrmuese e qytetarëve të BP, 85.6% besojnë se lufta në Ukrainë e bën më urgjente investimin në energjinë e rinovueshme. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, shumica e të anketuarve të Ballkanit Perëndimor, 78% janë të shqetësuar për rritjen e fluksit të lajmeve të ndryshme të rreme, keqinformuese dhe propagandistike. Në të njëjtën kohë, 82.9% e njerëzve në BP janë të të njëjtit mendim se bashkëpunimi rajonal mund t’i ndihmojë ekonomitë e tyre për qëndrushmëri të mirë ekonomike për t’iu përgjigjur pasojave negative të luftës.
Kjo është arsyeja pse të gjitha këto shqetësime madhore nuk do të jenë vetëm pjesë e axhendës së Konferencës së Sigurisë “Jumbo” të këtij viti, por do të vazhdojnë të zënë një vend të veçantë në axhendën e RCC në të ardhmen e afërt”, përfundoi Bregu.

Konferenca Vjetore e Sigurisë Jumbo po fokuson gjithnjë e më shumë vëmendjen e aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë në rajonin tonë dhe po ndihmon gjithashtu në krijimin e lidhjeve thelbësore për koordinimin e përpjekjeve të bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Objektivi kryesor i këtij edicioni të 7-të të ngjarjes është adresimi dhe përcaktimi i tendencave kryesore të sigurisë që lindën (ose do të jenë në të ardhmen e afërt) nga pasiguritë aktuale rajonale dhe evropiane dhe që do të formësojnë të ardhmen e sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.