Në një takim të fundit me mbështetësit e tij Donald Trump dha një nga sinjalet e tij më të forta se mund të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti i SHBA-së tha se ai “me shumë, shumë, mundësi do të garonte përsëri” në vitin 2024.
“Zgjedhjet e kaluara u vodhën dhe u manipuluan dhe tani vendi ynë po shkatërrohet. Unë garova dy herë dhe fitova në të dyja raste, unë mra më shumë vota se c kishte marrë ndonjëherë ndonjë president më parë në Amerikë. Dhe tani në mënyrë që paqja dhe stabiliteti të rikthehet në vendin tonë, unë me shumë , shumë mundësi do ta bëj sërish. Kështu që bëhuni gati. Shumë shpejt!”, tha ai. Trump ka lënë të kuptohet për kandidimin për president gjithnjë e më shumë në muajt e fundit. Sipas të gjitha indikacioneve, ish-presidenti po kërkon të rikthehet në një arenë politike gjithnjë e më të egër. Disa nga rivalët e tij të mundshëm në vitin 2024, si ish-zëvendëspresidenti i tij Mike Pence dhe ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo , si dhe Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, po hedhin bazat për fushatat e tyre. Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i Trump, ai gjithashtu ka një gamë të gjerë problemesh ligjore, përfshirë hetimin federal për dokumenteve e klasifikuara në Mar-a-Lago dhe një padi civile kundër perandorisë së tij të biznesit në Nju Jork. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, kandidimi për president do t’i jepte atij platformën dhe oksigjenin politik që i ka munguar në dy vitet e fundit.