Bashkimi Europian është i gatshëm që të mirëpresë në Bruksel kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç, me kushtin që siç tha zëdhënësi i zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të tregojnë një sjellje europiane.
Stano përmendi situatën “e rëndë” të krijuar në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës dhe theksoi se të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësinë e gjetjes së një rrugëdaljeje nga kriza aktuale.

“Ne mbetemi të përkushtuar të presim kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në Bruksel, për një takim të nivelit më të lartë, sapo ata të jenë gati të tregojnë sjellje europiane dhe vullnet për të kërkuar një zgjidhje europiane për problemet reciproke. Kjo është një përgjegjësi e të dyja palëve. Puna vazhdon, edhe pa u bërë të ditura të gjitha detajet procedural, ne jemi të angazhuar t’i ndihmojmë ata të gjejnë një zgjidhje. Por Bashkimi Europian nuk mund të jetë më i interesuari për gjetjen e zgjidhjes, duhet të jenë ata vetë.”– tha Peter Stano. Një ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të vijojnë urgjentisht me dialogun për të gjetur një zgjidhje përpara datës 21 nëntor, kur fillon vendosja e gjobave në veri për personat që nuk përdorin në automjetet e tyre targat RKS. Paralajmërimin, Borrell e dha pas takimit me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.