Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla deklaroi sot nga Roskoveci se rublat e Rusisë vazhdojnë ta financojnë aleancën e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

“Në fakt është e vonuar protesta e aleatit të Vladimir Putin në Shqipëri, Sali Berishës, sepse rublat e Rusisë vazhdojnë ta financojnë aleancën e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Besoj që çdo shqiptar e kupton që janë rublat ato që nxisin këto lloj qasje. Ndërkohë që e gjithë Europa është në luftë me Putinin, Saliu i del në krah Putinit dhe kërkon protesta. Megjithatë protestat e Berishës janë një keqardhje për këdo nga ata demokratë të thjeshtë e të zakonshëm të cilët vazhdojnë të besojnë hallin personal të Saliut”, tha Balla.

Sipas tij, “protesta nuk ka të bëjë as me qeverinë, as me energjinë elektrike, por ka të bëjë me hallin personal të Saliut”.

“Sali Berisha është një person ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe mos u habisni edhe nga BE në një kohë të shkurtër. Thirrja e Sali Berishës për protesta nuk është fare për hallet e njerëzve, por për hallin e tij personal, hall të cilin nuk ia zgjidh dot askush, as Ilir Meta, as protesta, por hall nga rublat ruse”, tha Balla.

Balla ishte në Roskovec në Festën e Ullirit, ku deklaroi se qeveria po bën gjithçka për të gjetur tregje të reja si dhe për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë, e cila ka qenë e mbarë, pavarësisht situatës së shkaktuar nga inflacioni i luftës.