Franca e ka nisur Kupën e Botës në mënyrë fantastike duke respektuar statusin si Kampione e Botës në fuqi. “Gjelat” fituan dy ndeshjet e para të Grupit D ndaj Australisë dhe Danimarkës dhe tashmë kanë në “xhep” kualifikimin për në raundin pasardhës në pritje të ndeshjes së tretë në grup ndaj Tunizisë.

Edhe pse me shumë mungesa si pasojë e dëmtimeve, Kylian Mbappe por edhe Olivier Giroud me Antoine Griezmann, udhëheqin skuadrën përpara në synim të lavdisë. Por, në ditët e ardhshme mund të vijnë sërish lajme pozitive për trajnerin Didier Deschamps pasi duket se Karim Benzema është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe më datë 1 dhjetor do të nisë stërvitjen me Realin e Madridit.

Nëse sulmuesi ndjehet mirë fizikisht, atëherë pritet të rikthehet pranë grupit të kombëtares pasi trajneri Deschamps nuk e ka larguar emrin e tij nga lista e 26 lojtarëve të grumbulluar. Nëse diçka e tillë realizohet, atëherë Franca do të kishte një armë plus të cilën nuk e kishte llogaritur në nisje të Botërorit, teksa prezenca e Topit të Artë në fushë, i jep një tjetër fytyrë francezëve sidomos kur bëhet fjalë për fazën më të rëndësishme të eventit.