Apple është kompania më e re që i është futur në garë për të blerë ekipin e Manchester United. Kjo gjë bëhet e ditur vetëm pak ditë pas lajmërimit nga familja Glazer se do të konsiderojë ofertat për shitjen e klubit.

Një raportim nga Daily Star ka treguar se kompania më e madhe e teknologjisë në botë është e interesuar për blerjen e ekipit legjendar për £5.8 miliardë. Apple është një kompani e cila nuk ka drejtuar asnjëherë një ekip të madh futbolli, mirëpo mundësitë e reklamimit të ofruara nga United janë faktori kryesor që po bind Apple për blerjen e Manchester United. Çdo marrëveshje e mundshme me shumë mundësi do të tejkalojë rekordin momental për blerjen më të shtrenjtë të një klubi futbolli në histori, që mbahet nga Todd Boehly, i cili paguajti £4.25 miliardë për të marrë drejtimin e ekipit të Chelsea.

Një problem kryesor me ekipin është dhe stadiumi ikonik Old Trafford. Ky stadium prej kohësh ka patur nevojë për një rindërtim në mënyrë që të sfidojë me stadiumet e reja të ndërtuara. Rindërtimi i këtij stadium do të kushtojë £1.5 miliardë, duke e bërë atë stadiumin më të shtrenjtë në botë, duke lënë pas investimin prej £1 miliardë të Tottenham për ndërtimin e stadiumit të ri. “Teatri i ëndrrave” ka qenë shtëpia e djajve të kuq që nga viti 1910. Rinovimi i fundit i këtij stadium u bë në vitin 2005-2006, dhe u shtuan 8,000 ndenjëse të reja.