Ministri britanik, Gavin Williamson, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, pas akuzave të fundit për ngacmim ndaj ish-shefes konservatore, Wendy Morton.

Në letrën e dorëheqjes së tij ai ka shkruar se i ka kërkuar falje koleges për mesazhet ndërsa ka hedhur poshtë akuzat për ngacmim.

“Siç e dini, ekziston një proces i vazhdueshëm ankesash në lidhje me mesazhet me tekst që i kam dërguar një kolegeje. Unë jam në përputhje me këtë proces dhe i kam kërkuar falje marrësit për ato mesazhe.

Që atëherë, ka pasur akuza të tjera për sjelljen time në të kaluarën. Unë hedh poshtë këto pretendime, por e kuptoj se këto po bëhen shpërqendruese për punën e mirë që kjo qeveri po bën për popullin britanik”, tha Williamson në letrën e tij të dorëheqjes, drejtuar kryeministrit Rishi Sunak.

Ligjvënësi i Partisë Konservatore, ishte shkarkuar më parë nga posti i tij si ministër i mbrojtjes në vitin 2019, nga kryeministrja e atëhershme Theresa May, për zbulimin e një vendimi kyç në lidhje me gjigantin kinez të telekomunikacionit Huawei.

Ish-kryeministri Boris Johnson më vonë e emëroi atë si Sekretar të Shtetit për Arsimin, por e hoqi përsëri atë nga roli në vitin 2021 gjatë një riorganizimi të kabinetit.