Presidenti Bajram Begaj ka kujtuar 3-vjetorin e tërmetit tragjik që goditi vendin tonë, duke e quajtur atë si një tragjedi të vërtetë njerëzore. Presidenti shkruan se Shqipëria do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse vendeve që na mbështetën në procesin e rindërtimit.

“Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ishte tërmeti më i madh që goditi vendin tonë në 40 vjet, duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë njerëzore si dhe dëme materiale të pallogaritshme. Mendimet tona shkojnë në kujtim të 51 viktimave të asaj ngjarjeje të dhimbshme.

Me mijëra shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, dhanë gjithçka nga vetja për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga pasojat e tërmetit. Kontributi dhe forca e treguar nga populli shqiptar për të përballuar si një familje e madhe ato ditë të vështira, ende sot më emocionojnë e më japin shpresë për gjërat e mëdha që mund të bëjmë kur ekziston vullneti i përbashkët.

Shqipëria do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse të gjitha shteteve që kontribuuan në përballimin e pasojave të tij, kontribut që ishte jetik për mijëra familje”, shkruan Begaj.