Tirana do të blindohet për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve të Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahen në Tiranë më 6 dhjetor.
Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren, ndërsa akse të shumta rrugore do të bllokohen për kalimin e delegacioneve. Niveli i masave të sigurisë parashikon ato që janë ndërmarrë kur Tiranën e ka vizituar ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku. Në hartimin e masave të sigurisë janë përfshirë edhe stafet e delegacioneve që do të vizitojnë Tiranën. Një pjesë e efektivëve do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit. Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30. Po më 6 dhjetor, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka thërritur një protestë kombëtare. Kryedemokrati ka deklaruar se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore.