Nga Kristo Mërtiri/

Pasi kisha lexuar prononcimin fluturak me krahë të këputur megalomanie në mes të metropolit, të një ish Ambasadori që nuk kishte punuar hic në Diplomaci(sot zv.kryetar Partie i thëncin!), më saktë një prototip i lerë e rritur në puplat e grazhdit vezullues të kupolës sipërore të monizmit, një gjuhëshpëlarë që nuk e dëgjojnë dot as banorët e pallatit a të mëhallës, rashë në të thella. Fliste e brockulliste në ekran për pagëzimin pa prift e temjanë të 12 nëntorit 2022, me emrin tronditës e qiellgërvishtës “Protestë Kombëtare”! Dhe as që i shkonte mendja te mencuria popullore që na thotë se “Tani bëhet dasma me violi, jo me daulle, njerëzia e mban kalemin në vesh e kartën në xhep…”. Ashtu me zjarr e shkumë neveritëse, e lante dhe e lyente gati si një datë të shënuar historike. Dhe kur ? Mbrëmjen e 8 Nëntorit ! Datë që ai e kish lakuar gjithë jetën më shumë se emrat e babës leskoviqar e të nënës zagorite, nga familjet e nderuara në ato vise hijerënda. Dhe konkludoi prerë, tamam si një dhelpër bishtprerë:”…Vendi është në një katastrofë, nëse nuk reagojmë sot e nesërmja jonë është pa demokraci, në një vend që sundohet nga një diktator i ri…Janë njerëz që po i ndryshojnë ADN-në Shqipërisë demokratike(?!)”. E tha bukur një kolegu im i vjetër:-Ore babam, ky nuk paska cipë fare ose ka roitur dhe bilbilos për popullin(të cilin, deri sa u poq e u bë burrë, e shikonte me dylbi jo nga maja e Melesinit, por nga maja e “Olimpit” të pushtetit të djeshëm monist). Na ka zënë frika e tartakuti se mos na sjell në miting ndonjë detashment nga OKB-ja ku livadhisi lumturisht e djallëzisht për ca kohë me kokën strukur nën sqetullat e PS-së dhe qokabërësve drejtues të saj. Dhe pastaj, duke u shtrirë e lëpirë plot jargë liderët e kalanderët pronarë të medias në “Rogner” e gjetkë, vuri pa cak pa bam spaletat farfuritëse të Analistit(pa hequr asnjëherë inicialet sugjestionuese OKB, qoftë te Fevziu pasanik tepër i dyshimtë e kudo ku i hapet ndonjë derickë propagande e ndryshkur).

Të kuptohemi mirë, nuk mund të them kurrsesi se në Shqipëri nuk ka korrupsion, nuk ka krime të rënda e të lehta, nuk ka mungesë Drejtësie të pavarur etj. Përndryshe do të isha cyryk a i verbër! Por të dëgjosh zërat e cjerrë të kukuvajkave e të kacakëve pas ferrave, duke deklaruar haxhiqamilce se “Do të marrim Kryeministrinë në 12 nëntor !”, njeriut të thjeshtë e të ndershëm mund t’i dridhen leqet e këmbëve, por ama i vjen edhe për të qeshur e për të qarë me thes në kokë. Dhe pyet veten e të tjerët: Po si, qysh, me c’farë mjetesh “demokratike”, mos vallë me tanket e flakëhedhësat e shtatorit të ’98-ës ? Shtator që i rinxiu faqen mëmëdheut nëpër botën e qytetëruar demokratike ! Mirëpo balta vazhdon.

Duke e kthyer në llucë e të pëgëra Polit(h)ike, që cërklat e tyre i vërvitin mbi trupin e brishtë e të drobitur të Republikës sonë pluraliste. E më vjen pranë rënkimi therës i poetit të pushkatuar:”-E shkreta ti, moj Republikë, në emrin tënd të marrin jetën !”. Me sa duket, nuk janë ngopur ende me të djegurit e të pjekurit përsëgjalli të dhjetra njerëzve hallexhinj të Gërdecit ku (C)Drejtësia mercenare e paremadhe ngrohu duart e pista pranë flakëve të pashuara vullkanike në një nga portat e Kryeqytetit?! Zoti i gjykoftë ! Apo ca të rrjedhur nga trutë ëndërrojnë shkallët dhe trotuaret e përgjakura të selisë Qeveritare, realizuar poshtërsisht nga armët e shtetit rrumpallë e të handakosur !…