Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e bujqësisë Frida Krifca zhvilluan ditën e sotme një takim me peshkatarët në portin e peshkimit në Durrës, për mbështetjen e qeverisë për rinovimin e flotës dhe skemës së mbështetjes me naftë për peshkimin. Nga skema e naftës alokohen 200 milionë lekë për mbështetje të drejtpërdrejtë 40 lek/litër për peshkatarët, ku deri më tani kanë përfituar 152 anije.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “ Jam shumë i kënaqur dhe i bindur se nuk ka vend për t’u kënaqur se ka akoma shumë që mund të bëjmë për këtë sektor i cili sot mund të thuhet se është një industri e rilindur po potenciali është i jashtëzakonshëm. Më kujtohet kur isha këtu për herë të parë, më ka sjell ndërmend një roman si vuanin minatorët në regjimin kapitalist, feudal, ku ndodheshit në një situatë absurde ku ju shkonit ta merrnit naftën në Itali, sepse këtu ishte e pamundur të furnizonit anijet me naftë. Ju dilte më lirë të shkonit në Itali të furnizonit anijen me naftë dhe pastaj të vazhdonit të peshkonit.

I gjithë volumi i punës së jashtëzakonshme dhe torturuese për shumicën dërrmuese të peshkatarëve përkthehej në diçka midis 20-25 milionë euro eksporte nga gjithë kjo vijë bregdetare. Sot jemi në shifrën 30 milionë euro eksporte të vitit të kaluar. Po ambicia është për të bërë shumë më tepër, ne duam që Shqipëria të shkojë në 1 miliardë euro eksporte bujqësore, ku peshkimi duhet ta kapi patjetër tavanin e 200 milionëve dhe ta kalojë dhe është plotësisht e mundur. Kjo kërkon që ne të lehtësojmë çdo lloj peshe në aspektin burokratik, edhe falë faktit se kemi një dialog të vazhdueshëm, dhe jemi në presionin e kritikave të juaja.”

Kryeministri tha se: “I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur këtë transformim, sepse kemi bërë shumë në raport me ku e nisëm dhe duhet të bëjmë çmos që në raport me sot aty ku do të arrijmë të jetë njësoj shumë. Është një dekadë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe na ka qëlluar që të përballemi me disa sfida shumë të vështira që nga tërmeti, pandemi dhe tani një luftë që ka ardhur me inflacionin e saj dhe që nuk e solli qeveria po ajo që ajo mund të bëjë të ofrojë mbështetjen e saj për të gjithë sektorët dhe për ata që kanë më shumë nevojë.”