Atletja Luiza Gega ka shkëlqyer sërish në Itali. Në eventin e Biela Milano, kampionia e Europës ka dalë në vendin e parë në garën e 1600 metrave. Vajza nga Bulqiza regjistroi kohën 4 minuta, 41 sekonda e 34 të qindtat, duke vendosur edhe rekord kombëtar.

Gara e Milanos nuk ka qenë e lehtë për kampionen shqiptare, që 100 metra nga fundi ka qenë e renditur e treta, duke ndjekur rivalët nga Kenia dhe Burundi. Finishi ka parë Gegën të parën, që për 100 metra “ka fluturuar” duke lënë pas rivalet. Pas garës së fituar në eventin “La notte delle stelle” pak ditë më parë po në Itali, Gega merr sërish podiumin. Ky është suksesi i radhës për atleten shqiptare, që pak muaj më parë u shpall kampione e Europës në garën e 3 mijë metrave me pengesa në Mynih.