Është inauguruar sot spitali më i ri në Shqipëri një tjetër strukturë ekselente e shërbimit shëndetësor, “Zoja e Këshillit të Mirë”. Kompleksi i ri dhe modern i spitalit, i cili ka hapur dyert sot për publikun përfshin aktivitetet e diagnostikimit, ambulatorëve dhe klinikave kërkimore në shërbim të mësimdhënies, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin shëndetësor shqiptar dhe Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të spitalit të ri të vendosur brenda kampusit universitar, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh se për Bashkinë e kryeqytetit ka qenë një privilegj kontributi në infrastrukturën më të re spitalore, të ndërtuar nga themelet në funksion të një shërbimi cilësor dhe modern ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Për ne ka qenë e rëndësishme që t’ju ndihmojmë të shërbeni dhe – kur po më thoshte edhe Sandri, “shumë faleminderit për hapjen e rrugës këtu, faleminderit edhe për lejen, për shfrytëzimin”, – detyra jonë është që shërbimi ynë të bëjë më të lehtë punën tuaj. Ndaj dhe sot ndihem vërtet i nderuar që ndoshta kemi të vetmin spital jo publik realizuar që në pikënisje si i tillë, jo si adaptim i një ndërtese tjetër, por një godinë ndërtuar mirëfilltazi si spital, sot ka përfunduar. Ka qenë një punë e veçantë, unike. Unë e kam parë edhe gjatë kantierit, pjesa më e madhe e infrastrukturës është e gjitha nën tokë. Ajo që shikoni është vetëm maja e ajsbergut të një kompleksi të tërë” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se kjo ka qenë një stinë e bekuar në raportet e qytetit të Tiranës me komunitetin e besimtarëve katolikë. “Kemi marrë një vendim si qytet, e kemi reflektuar në planin e ri urbanistik, – ne do të kemi një Shenjtore të Nënë Terezës në kodrat e Liqenit, aty ku ka qenë një bazë ushtarake. Ne besojmë që një hapësirë për reflektim, për meditim, për lutje i duhet një qyteti me rrokopujën e një milion banorëve. Qyteti duhet të dijë edhe kur të bëjë një pauzë, edhe kur të ketë mundësi të ulet në gjunjë e të reflektojë, edhe kur të kërkojë ndihmë për shumë punë dhe shumë sfida që jo gjithmonë qeniet njerëzore mund t’i zgjidhin, vetëm me mjetet e tyre,” informoi Veliaj.

Spitali i ri do të përfshijë në të ardhmen edhe studentët e degëve të ndryshme të UKZKM dhe do të ketë njëkohësisht edhe një qendër kërkimore të parametrave ndërkombëtare.