Kryeministri Edi Rama ka akuzuar ditën e sotme disa media duke thënë se kanë qëllimin kryesor dizinformimin e qytetarëve. Ai thotë se e gjitha kjo po bëhet nga ato media që kanë kërkuar favore të paligjshme, por që qeveria nuk ua ka dhënë.

“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”! “7 punonjës në ditë ikin nga policia”! ”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”. Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë! Arsyeja? Duan favore të paligjshme!

Aleanca e Rublave është përditë e më e qartë, çdo ditë e më e tërbuar, ditë pas dite më e dëshpëruar! Një zëdhënës i saj, ngrënës i paepur i turpit me bukë apo i bukës me turp: S’kanë faj ata që shpifin, po ka faj kryeministri që s’bën transparencë për çdo shpifje”, shkruan Rama.

Megjithatë, në postimin e tij, kryeministri ka zgjedhur që të mos përmend me emër se për kë bëhet fjalë.