Po zhvillohet sot publikisht Konkursi Ndërkombëtar për projektin fitues mes studiove prestigjoze për qendrën shumëfunksionale në Tiranë, ku një juri e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti, Freek Persyn, do të vlerësojë propozimet mbi projektin Tirana Multifunctional Center, të cilat do të prezantohen nga studiot ndërkombëtare prestigjoze OODA, Cebra, FUKSAS, JDG+SHIGERU, UN STUDIO.

“Tirana Multifunctional Center” do të jetë një qendër shumëfunksionale, e cila do të përmbaje Qendrën e Biznesit, Boutique Hotel, brandet me të njohura ndërkombëtare të restoranteve, apartamente elitare, parkim publik, etj. Teknologjia që do të përdoret do të implementohet për herë të parë në Shqipëri, pasi vetë lartësia e godinës imponon përdorimin e teknikave më të avancuara botërore në fushën e ndërtimit. Godina do të ketë eficiencë të larte energjetike dhe konsum mjaft të ulët për shkak të sistemeve që do të implementohen në të.

Pas prezantimit të projekteve nga studiot pjesëmarrëse që do të vazhdojë përgjatë ditës, juria do të drejtojë pyetjet e saj për secilin prezantim. Në nisje të prezantimeve, Kryeministri Edi Rama iu drejtua të pranishmëve:

Do them shumë pak fjalë për t’i lënë gjithë kohën e nevojshme dhe të parashikuar arkitektëve.
Së pari, dua të falenderoj anëtarët e jurisë, të cilët e kanë pranuar ftesën për t’iu bashkuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme për historinë e zhvillimit të kryeqytetit. Dua të falenderoj me shumë respekt të gjitha studiot. Janë të pesta studio me vepra mbresëlënëse, me reputacion të rëndësishëm që nga mjeshtri i madh i arkitekturës bashkëkohore italianë, Massimiliano Fuksas, tek një prej yjeve të arkitekturës japoneze, Shigeru Ban, tek UNStudio, Cebra, Oda, studio, të cilat vijnë sot me një bagazh eksperience dhe sfidash të panumërta.
Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqëur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli.
Duke ju falenderuar të gjithë, duke i uruar të gjitha studiove që ta shënojnë si një ditë të këndshme këtë ditë konkurrimi në Tiranë, sepse në fund të ditës vetëm njëra studio do të përzgjidhet, por ama, është shumë e rëndësishme që të gjithë të ndjehen mirë nga konkursi, nga mikpritja, nga atmosfera dhe nga ana tjetër, dua t’i siguroj që tani që disa prej tyre vizituan për herë të parë Tiranën dhe për herë të parë ofruan diçka për Tiranën, ne i konsiderojmë pjesë të rrethit të miqve të këtij vendi dhe do jemi shumë të nderuar që t’i kontaktojmë e t’i kërkojmë për të përballur edhe sfida të tjera të cilat nuk mungojnë për këtë kryeqytet, por edhe për Shqipërinë në tërësi.
Faleminderit edhe gjithë të pranishmëve që i japin një atmosferë arene kësaj sfide dhe le të vazhdojmë me programin, duke filluar të shohim një nga një propozimet që kanë sjellë këta arkitektë të shquar dhe këto studio kaq të respektueshme.