Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Policia e Shtetit ka njoftuar nismën ku punonjëset e policisë në qarqe në ndryshme të Shqipërisë i kanë vendosur grave dhe vajzave, simbolin e kësaj fushate, fjongon rozë.

“Gratë dhe vajzat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë dhe një aset i çmuar, gjithmonë e më i pranishëm, i Policisë së Shtetit.

Në kuadër të fushatës sensibilizuese mbarëbotërore “Tetori Rozë”, punonjëset e Policisë së Shtetit përshkuan akse të ndryshme të qarqeve të Shqipërisë dhe iu vendosen grave dhe vajzave, simbolin unik të kësaj fushate, fjongon rozë, me mesazhet e kujdesit për veten dhe të drejtimit në kohë, në qendrat spitalore, për ta parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar kancerin e gjirit.

Ndërkaq, punonjëset e Policisë Rrugore të Tiranës kanë qëndruar në krye të kësaj fushate ndërgjegjësuese dhe gjatë këtyre ditëve, kanë dhuruar për gratë dhe vajzat e kryeqytetit, paketa shëndetësore për mbulimin e plotë të vizitave/analizave diagnostikuese për problemet e kancerit të gjirit.”