Presidenti Francez Emanuel Macron foli në një konferencë për shtyp nga Praga, pak pas takimit të parë të Komunitetit Politik Europian duke zbuluar disa nga çështjet kryesore që u diskutuan mes liderëve europianë. Mesazhi i parë që ai ndau me publikun, ishte shprehja e unitetit të 44 vendeve pjesëmarrëse kundër agresionit rus dhe mbështetjen e tyre për Ukrainën. “Ata thanë, ‘Evropa mund të ndahet’. Ne dhamë mesazh bashkimi, të gjithë së bashku”, deklaroi Macron.

Macron u ndal edhe te sulmi kibernetik mbi Shqipërinë nga Republika Islamike e Iranit, për të theksuar se vendet e Europës do të kenë bashkëpunim ndërqeveritar në luftën kundër krimit kibernetik. “Gjëja e dytë është se shumë vende evropiane kanë pësuar sulme të krimit kibernetik: disa nga Irani – Shqipëria disa javë më parë – të tjerët nga Rusia, disa shtete baltike. Dhe ndaj, të paturit e një strategjie mes nesh, bashkëpunimin ndërqeveritar për luftën kundër krimit kibernetik, por edhe kundër politikave propaganduese dhe dezinformuese është një element shumë i dobishëm mbi të cilin duam të ecim përpara”, tha Macron.

Macron foli edhe për politikat e përbashkëta rinore si dhe mbi propozimin që u bë pak ditë më parë nga Kryeministri Rama për më shumë bashkëpunim me universitetet europiane. “Kjo është ngritur nga disa krerë qeverish. Shqipëria, Serbia dhe Irlanda theksuan, ndër të tjera, idenë për të pasur një politikë shumë më të integruar universitare dhe universitare. Siç e dini, ne kemi nisur këtë projekt për një universitet evropian brenda Bashkimit Evropian. Ideja lindi për të rinjtë e kontinentit, ne duhet të forcojmë bashkëpunimin midis universiteteve tona, midis politikave tona arsimore për t’i lejuar të rinjtë tanë të kenë një kulturë evropiane përtej kufijve”, tha Presidenti francez.