Avokati Spartak Ngjela foli në lidhje me kapjen e “peshqëve të mëdhenj”, sulmet kibernetike që kanë goditur Shqipërinë dhe hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Për sulmet kibernetike dhe kërcënimet e bëra nga iranianët, avokati Ngjela shprehet se këto akte janë thjesht fjalë.

“Këtu janë strehuar iranianët e opozitës, fakti që qeveria shqiptare i dha ndihmë opozitë së larguar iraniane, di të them se këto janë përpjekje të dështuara nga Irani”, u shpreh Ngjela në “Breaking”.

Në lidhje me hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, avokati Spartak Ngjela tha se ai e ka kërkuar që të hapen që në vitin ’92, por ishte PD që e vonoi si proces.

“Në lidhje me hapjen e arkivave, unë isha dakord të hapeshin që në ’92, dhe ishte Partia Demokratike ajo që e vonoi si proces. Dhe fajet mbeten të PD, sepse edhe pasi erdhi në pushtet mbajti agjentë të tyre në krye të shtetit.

Po ka një gjë, ata menduan se i zhdukën dosjet që i kishin në funksion në atë kohë në Sigurmin e Shtetit.

Disa emra kanë dalur, disa dokumenta që këta i ka trembur. Disa politikanë duan edhe ta sabotojnë si proces, hapjen e dosjeve”, tha Ngjela.

Në lidhje me deklaratën e SPAK se po heton politikanë të mëdhenj, Ngjela tha se me krerët e mëdhenj do të jetë e vështirë. Avokati deklaroi se nevojitet ngritja e një Gjykate Ndërkombëtare për të kapur “peshqit e mëdhenj”.