Napoli nuk di të ndalet, dhuron spektakël të paparë në Amsterdam, duke vendosur një rekord absolut pas fitores së thellë 1-6. Asnjë skuadër nuk kishte arritur t’i shënoj 5 gola Ajax-it në shtëpi në Evropë, Napoli shkon edhe më tej duke i shënuar 6.

Ekipi i Spallettit ishte në një mbrëmje fantastike, e të mendosh që në fushë nuk ishte sulmuesi kryesor, Victor Osimhen. Në mungesë të nigerianit, ishte Raspadori ai që bëri liderin duke shënuar një “dopjetë”. Italianët reaguan fort pas golit të pësuar që në minutën e 9-të. Raspadori, Di Lorenzo dhe Zielinski realizuan tre gola brenda pjesës së parë duke përmbysur shifrat në 1-3.

Napoli nuk e uli ritmin për asnjë moment duke shënuar edhe tre herë të tjera në fraksionin e dytë. Sërish Raspadori, Kvara dhe Simeone shënuan emrin në listën e golashënuesve duke sigluar shifrat përfundimtare në 1-6. Fal këtij suksesi, Napoli përforcon dhe më shumë pozitat si kryesues në Grupin A në kuotën e 9 pikëve, 3 ndeshje 3 fitore.

Blutë ndiqen nga Liverpool në kuotën e 6 pikëve. Ekipi i Jurgen Klopp mposhti Rangers me rezultatin e pastër 2-0. Alexander Arnold realizoi një super gol nga goditja e dënimit në minutën e 7-të ndërsa me fillimin e pjesës së dytë ishte Momo Salah ai i cili dyfishojë shifrat nga pika e bardhë e penalltisë.