Në mungesë të drejtësisë, veprimi i ligjit të Vettingut po ngushëllon deri diku familjarët e viktimave të 21 Janarit, duke nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët, të cilët shpëtuan nga ndëshkimi vrasësit, ndërsa urdhëruesit dhe orkestruesit nuk u morën as në pyetje. Komisioni i Vetingut ka shkarkuar sot nga detyra Ariana Cacon, gjyqtaren e radhës së 21 Janarit, pasi nuk justifikonte pasurinë. Në 8 shkurt të vitit 2013, trupi gjykues i shkallës së parë, i kryesuar nga Besnik Hoxha, me anëtarë Ariana Cacon dhe Ardiana Bera, shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, për të cilët prokuroria kërkonte 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon, për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ambasada Amerikane reagoi e tronditur nga ky vendim. Besnik Hoxha dhe Ardiana Bera janë në proces verifikimi nga Komisioni i Vettingut prej dy vitesh, ndërsa nuk ka ende një datë për t’u njohur me rezultatet e hetimit. Hoxha dhe Bera janë dy gjyqtarët e fundit që vijojnë të jenë pjesë e drejtësisë nga 11 gjyqtarët që kanë marrë pjesë në gjykimin e dosjes së 21 Janarit. 9 nga 11 gjyqtarët janë shkarkuar ose janë larguar nga sistemi me dorëheqje. Në shtator të vitit 2013, treshja e gjyqtarëve të Apelit Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri, dënuan me vetëm vit burg ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen Faik Myrtajt si dhe me 3 vjet burg Agim Llupon i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ata i shpallën ‘vrasje pa dashje’ ekzekutimin e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit nga Ndrea Prendi dhe Agim Llupo në protestën e 21 Janarit 2011. Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon. Vrasje e dy protestuesve të tjerë Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetën pa autor. Gjithashtu pa autor mbetën edhe plagosjet me armë zjarri të gjashtë protestuesve të tjerë, përfshirë edhe gazetarë.

Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri janë shkarkuar që të tre nga detyra pais nuk justifikonin pasurinë me burime të ligjshme të ardhurash. Në prill të 2016, tre vjet më vonë, Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë, duke i vënë kapak çështjes së 21 Janarit. Vendimmarrja është e paprecedentë pasi gjyqtarët pranuan provat e prokurorisë për autorët e vrasjeve, por i konsideruan vrasje nga pakujdesia, me logjikën se vrasësit nuk i njihnin viktimat e tyre. Edmond Islamaj, Artan Zeneli dhe Shkëlzen Selimi janë shkarkuar nga detyra për pasuri të paligjshme dhe lidhje me krimin, ndërsa Aleksandër Muskaj dhe Guxim Zenelaj, janë larguar nga Gjykata e Lartë dhe drejtësia, edhe pse mund të qëndronin në detyrë deri kur të zëvendësoheshin dhe më tej mund të shërbenin në Gjykatën e Apelit.

Fati i gjyqtarëve të 21 Janarit

-Treshja e shkallës së parë që shpalli të pafajshëm të akuzuarit

1. Besnik Hoxha, në proces verifikimi nga Vetingu
2. Ardiana Bera, në proces verifikimi nga Vetingu
3. Ariana Caco, e shkarkuar sot nga detyra për pasurinë

-Treshja e Apelit që i konsideroi vrasjet si vrasje pa dashje

1. Agim Bendo, dha dorëheqjen nga drejtësia si dhe u ‘sëmur’ para se të përballej me Vetingun.
2. Ervin Metalla, i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut për fshehje pasurie dhe përfitim të padrejtë të një kredie të butë.
3. Evjeni Sinojmeri, e shkarkuar nga Komisioni i Vetingut për fshehje pasurie.

-Pesëshja e Gjykatës së Lartë që vulosi vendimin e treshes së apelit

1. Edmond Islamaj, i shkarkuar me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e Vetingut, për probleme me pasurinë.
2. Artan Zeneli, i shkarkuar nga të dy shkallët e Vetingut, për probleme me pasurinë.
3. Shkëlzen Selimi, i shkarkuar detyra për kontakte të papërshtatshme me krimin.
4. Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë dhe drejtësia, edhe pse mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej siç bëri Ardian Dvorani.
5. Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë dhe drejtësia, edhe pse mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej.