Rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës ka nxitur më tej potencialin turistik të qytetit të gurtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga aerodromi i Gjirokastrës ku fluturimet me parashutë e aeroplan sportiv nuk janë më një befasi dhe ku sipas saj, “malin e Çajupit dhe kalanë e Gjirokastrës mund ta sodisësh nga lart”.

Vendosja në funksionim e këtij aeroporti, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike, të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues, tregtar, etj që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aeroporti i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në aeroportin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Aeroporti i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale.