U zhvillua sot në Sallën e Hartave, në Kryeministri ceremonia e ndarjes së Medaljeve të Arta për 123 nxënësit ekselentë.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha: “Për hir të së vërtetës kjo sallë nuk ka qenë asnjëherë kaq plot dhe nuk mund të ishte asnjëherë me më shumë mend se kaq. Ka 4 mendje të ndritura për çdo metër katrorë. Kjo nuk realizohet në asnjë variant tjetër përveçse me ju. Kështu shumë faleminderit dhe shumë respekt për atë që keni arritur.”

“Shumë respekt për atë që keni arritur. Jam i bindur që sot, që merrni medaljet shumëçka nga përpjekjet e vështira, nga momentet e vështira, nga çastet e hutimit të lodhjes janë harruar. Por, jam i bindur që sot kur të ktheheni për në shtëpi mundohuni që t’i kujtoni sepse tanimë që ju e keni marrë rezultatin fantastik që keni synuar nuk duhet harruar asnjëherë që ai rezultat është fryt i një përpjekje të jashtëzakonshme. Nuk duhet harruar për ta çmuar jo rezultatin, por çdokënd rreth jush që ka qene i rëndësishëm për të arritur këtë rezultat.”

Më tej Rama vijoi: “Pjesa më e bukur për mua dhe më prekëse e rezultatit tuaj, është pjesa që ka të bëjë me familjet tuaja, të cilat janë nga të gjitha kategoritë dhe natyrisht pjesa më e madhe e familjeve tuaja nuk janë familje të pasura, madje pjesa me e madhe e familjeve tuaja janë familje prindërish që përpiqen shumë.”