Nga Altin Ketro/

Ka një tendencë jo vetëm prej Sali Berishës dhe Ilir Metajt, por edhe individëve që janë pjesë e strukturave të larta të partive të tyre, që të përshpejtojnë rënien e qeverisë “Rama” nga pushteti nëpërmjet, siç thonë, protestave të fuqishme. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë që të bjerë thjesht qeveria “Rama”, por kuptohet që ata duan të krijojnë shtratin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, me shpresën se do t’i fitojnë ato.

Që të kërkosh rënien e një qeverie dhe provokimin e zgjedhjeve të parakohshme, është gjëja më normale për një opozitë. Ka ndodhur dhe do të ndodhë në çdo kohë. Çështja është se cilat janë ato mjete me të cilat do arrihet ky qëllim.

Me protesta popullore vetëm në vitin e mbrapsht 1997 ka ndodhur që të bjerë qeveria e të provokohen zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që partia në pushtet kishte një shumicë absolute, ndonëse të dala nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit 1996. Por në atë kohë kjo gjë nuk ndodhi për shkak të ndonjë dashurie të papritur të popullit për opozitën socialiste, por sepse për shkak të rënies së skemave piramidale financiare, u ngrit në këmbë një popull i tërë dhe ku qeveria e kohës, nën presionin e presidentit Berisha, nuk largohej a thua se nuk kishte ndodhur gjë.

Kjo situatë provokoi një reaksion zinxhir ku u pleksën edhe njerëzit hallexhinj që humbën kursimet e jetës, edhe individët me prirje kriminale, dhe kësisoj vendi doli duarsh; u shkatërrua me ushtri, polici, burgje, dogana, institucione qendrore e vendore, u dogjën arkiva e hipoteka, nuk e merrte vesh i pari të dytin, e në këto kushte, afërmendsh që do kishim zgjidhje të situatës duke shkuar në zgjedhje të parakohshme. Por viti ’97 është një kapitull i mbyllur i historisë së turpshme të këtij vendi dhe atyre që e qeverisën atë në atë kohë, prandaj nuk mund e nuk duhet të merret kurrë si shembull.

Mjeti tjetër për të rrëzuar një qeveri është kur ajo humb shumicën e votave në Kuvend. Kjo ndodh kur mazhoranca përbëhet nga më shumë se një parti politike dhe ku aleatët kushtëzojnë me votat e tyre bërjen e shumicës së thjeshtë.

Kishim gjatë mandatit të parë të Berishës, 2005 – 2009, parti aleate të tij që mund të provokonin zgjedhje të parakohshme kur më 15 mars 2008 ndodhi shpërthimi vdekjeprurës në Gërdec nga ku doli që ishin të përfshirë zyrtarë të lartë qeveritarë dhe familjarë të tyre që nuk u hetuan kurrë. Problemi ishte se të përfshirë qëlluan edhe parti aleate dhe si të tilla ato nuk mund të provokonin zgjedhje të parakohshme nga frika se me humbjen e pushtetit bëhej më e lehtë për t’u hetuar e gjykuar.

Gjatë mandatit të dytë të Berishës, 2009 – 2013, kishim një rast kur ky i fundit mund të provokonte vetë zgjedhje të parakohshme në momentin që aleati i tij, Ilir Metaj, u denoncua me zë e figurë nga ai që ishte faktori vendimtar i qeverisjes “Berisha – Metaj”, i ndjeri ministri Dritan Prifti. Nëse Berisha do e kishte hedhur atë hap të guximshëm në atë moment, me shumë gjasë, në ato zgjedhje të parakohshme të supozuara, që do e kapnin opozitën të papërgatitur, mund të kishte siguruar një shumicë qeverisëse pa ndihmën e aleatëve, për vetë faktin se kjo do i përkthehej si një frymë e re në luftën kundër korrupsionit.

Berisha nuk e bëri dhe vetëm pas 1 jave shkrepi armët duke vrarë në bulevard 4 demonstrues të opozitës. Në këtë rast, duhet të ishte LSI-ja e cila nuk duhet të pajtohej me atë vrasje shtetërore dhe me veprimet qeveritare për të penguar prokurorinë të bënte punën e saj hetimore. Nuk e bëri dhe zgjodhi të vijojë bashkëqeverisjen sepse ishte e detyruar të mbronte liderin e saj përpara drejtësisë me autoritetin e kryministrit të kohës.

Shembujt demokratik sesi rrëzohet një qeveri pa revolucione na e dha Mali i Zi, ku kryeministri Abazoviç humbi mbështetjen politike të shumicës, ndërkohë që vetë më herët po ai ishte bërë shkak për rënien e qeverisë së mëparshme. Po kështu dhe në Italinë fqinje, ku edhe një emër i fuqishëm në arenën e politikës botërore si Mario Draghi, ra si qeveri vetëm sepse një nga aleatët i hoqi mbështetjen politike në parlamentin italian.

Kur jemi në vitin e parë të qeverisjes së tretë të kryeministrit Rama, është naivitet politik që opozita shqiptare kërkon krizë qeveritare me forma revolucionare, ndërkohë që qeveria ka votat e mjaftueshme për të qeverisur deri në vitin 2025.

T’i krijosh iluzionin elektoratin opozitar se do ta rrëzosh me revolucione një shumicë parlamentare, është të tallesh me atë pjesë të popullit që të beson. Sikur kjo të funksiononte kaq kollaj, a nuk do i lindte e drejta opozitës së re, që sapo ra nga pushteti, të bëjë edhe ajo revolucion të nesërmen e formimit të qeverisë së ish-opozitës? Pra, po bëre revolucion kundër tjetrit, praktikisht duhet të presësh edhe vetë revolucion.

Prandaj këto thirrjet të Berishës, Metajt dhe “KPD-arëve” të të dyja këtyre partive që bëjnë thirrje për ta rrëzuar qeverinë “Rama” me protesta, le të mbeten thjesht dëshirë, por që nuk i përgjigjen realitetit të kohës.

Protestat, paqësore apo të dhunshme qofshin, kanë vetëm një qëllim: të ndërgjegjësojnë qeverinë dhe ta bëjë të kuptojë se po gabon në një a disa çështje të caktuara për të cilat duhet të reflektojë. Por që protestat të shkaktojnë rrëzim qeverish dhe provokim zgjedhjesh të parakohshme, kjo nuk mund të ndodhë sa kohë qeveria ka numrat e nevojshëm në Kuvend.

Shembulli tipik i 14 shtatorit 1998, ku Berisha me atë grusht shteti që organizoi nuk arriti dot të provokojë zgjedhje të parakohshme por thjesht një ndryshim kryeministri, kjo për shkak se Fatos Nano humbi një pjesë të mbështetjes që udhëhiqej nga agjenti “I.M.” i Sali Berishës në gjirin e grupit parlamentar socialist, tregon më së miri se dyshja Berisha – Metaj, më shumë se rrëzim qeverie me revolucion me qëllim provokimin e zgjedhjeve të parakohshme, duhet të investohen për të gjetur një agjent të ri i cili, me mbështetësit e vet në grupin socialist, të sigurojë aq vota sa për t’i hequr besimin qeverisë “Rama”. Deri atëherë, revolucionarëve Berisha e Metaj mbetet t’i urojmë veçse punë të mbarë dhe … suksese në jetë! (Marrë nga gazeta TEMA)